Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj zhvilluan një video-konferencë online me donatorët e huaj mbi ecurinë e procesit.
Ministri Ahmetaj ka informuar të gjithë donatorët me hapat që po ndiqen për projektet. Ai tha se janë dhënë deri tani 2043 leje për ndërtim, ndërsa janë miratuar 26 zona te reja zhvillimi.
14 plane vendore janë miratuar deri tani, ndërsa 12 janë në proces. Ahmetaj tha se donatorët për 2-3 ditë do të kenë në dorë dosjet me të gjitha detajet. Gjithashtu ministri theksoi se plani për ndërtimin e 500 banesave në Laç është gati dhe sapo të rihapen fluturimet do të vijnë ekipet nga Turqia për të nisur projektin.
“Deri nesër të gjithë do te merrni dokumentet që ne kemi miratuar në komisionin e rindërtimit. Dosjet i kemi përkthyer nëse doni ti monitoroni. Në Durrës po punojmë, Shijaku është në fazë të përparuar, në Laç që është miratuar po ashtu, etj. Ju mund të merrni të gjitha dosjet dhe mund ti studioni. E morëm të premten nga qeveria turke dhe nesër enti i strehimit shqiptar po përgatit zonën, që do të jetë e gatshme gjatë kësaj jave. Do të presim edhe nisjes e fluturimeve normale nga Turqia që ekipi të vijë dhe të nisë projektin”. tha Ahmetaj.
