Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik pasditen e sotme ku u raportua se një 37-vjeçar, i identifikuar si Rodolf Merolli është vënë në pranga pasi ka abuzuar seksualisht me vajzën e tij 18-vjeçe.
Babai është i njëjti person i akuzuar për vjedhje tre vite më parë dhe ku deklaroi para hetuesve se ishte kushëri me Eduard Shalsin, ministër i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.
Në vitin 2017 Merolli, kushëriri i ministrit Eduard Shalsi, denoncoi dhunën fizike të ushtruar nga operativi i zonës dhe shefi i Krimeve të Komisariatit të Maliqit, shoqërohej nga vajza e tij, emrin e të cilës e disponojmë por po përmendim vetëm inicialet e saj K.M, në atë kohë 15 vjeçe, e cila regjistroi dhe videon ku shfaqeshin punonjësit e policisë që debatonin ashpër me të dhe e fyenin.
“Policët kanë qenë të pirë në maksimum. Më tërheqin zvarrë. Kanë ushtruar dhunë dhe pa e ditur unë se çfarë kisha bërë. Më gjuanin me grushte. Më vunë prangat, dhe më shtinin me grushte dhe shkelma. 700 m më larg kisha shtëpi. Më kërcënonin dhe më flisnin me fjalët nga më të ndyrat në sy të vajzës time minorene. Vajzës i ra të fikët”, tha 37-vjeçari në atë kohë.
Në videon që u publikua në atë kohë, dëgjohet 37-vjeçari që iu thotë policëve se e kanë fyer dhe e kanë injoruar para familjes, ndërsa iu kërkon që nëse ka bërë gabim të dënohet sipas ligjit.
Po kështu Merolli iu thotë policëve se do i hedhë në gjyq dhe se ka djalë teze ish-ministrin Eduard Shalsi. Nga ana tjetër, një prej efektivëve e kërcënon duke i thënë se ‘do t’i thyejë brinjët’.
Për ngjarjen e sotme mësohet se bëhet me dije se vajza jetonte me të ëmën tek gjyshja në Korçë, pasi prindërit e saj ishin në proces divorci. Ndërkohë mësohet se 18-vjeçarja ka regjistruar të gjithë bisedën me të atin, i cili i kërkonte të kryejnë marrëdhënie seksuale.
Një ditë më parë 18-vjeçarja i është drejtuar policisë, duke denoncuar babanë e saj.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Vloçisht.
