Prof.Asoc.Dr. Elvin MEKA
Kur vështrojmë tablonë e huas për ekonominë (kryesisht huadhënien bankare) gjatë vitit 2018 dhe treguesit e përgjithshëm ekonomikë, në mënyrë të pashmangshme na ngrihet një pikëpyetje: tashme kemi realizuar një rritje ekonomike pozitive (4%+), me më pak hua për ekonominë, ku kjo e fundit shënoi një rënie neto prej më shumë se 20 miliardë lekësh, me bazë vjetore! Në fakt, kjo nuk është thjesht një shifër, e mbi të gjitha, jo nga ato që mund të neglizhohet. Megjithëse tabloja e mësipërme për huadhënien bankare dhe huan për ekonominë në përgjithësi nuk është e saktë, nuk ka vend për shumë entuziazëm nëse e lexojmë me kujdes atë. Mendimi i përgjithshëm rreth huadhënies për ekonominë është se bankat nuk po japin hua e nuk po e mbështesin ekonominë me fonde të mjaftueshme, për të siguruar investimet e dëshiruara.
Në të vërtetë, bankat e kanë kredituar ekonominë pa ndërprerje, pavarësisht se statistikat nuk e “mbështesin” këtë fakt. Nëse lexohet mes rreshtash, kuptohet lehtë se huat e reja për ekonominë janë “eklipsuar” vazhdimisht nga shlyerjet e huave ekzistuese dhe jo vetëm. Në këndvështrimin e “aritmetikës mekanike”, “gomat e mëdha” që kanë fshirë thuajse plotësisht efektin pozitiv të huave të reja nga portofoli i huave bankare për vitin 2018, ishin rivlerësimi i lekut dhe procesi i fshirjes së huave me probleme. Thënë kjo, realiteti bëhet tashmë më i qartë, por ai konfirmon se huaja për ekonominë i ngjan një lëvizjeje drejtvizore të njëtrajtshme dhe jo të përshpejtuar, siç mund të ketë pritur, shpresuar, dëshiruar apo parashikuar gjithkush. Kjo “lëvize” e huas bankare lidhet me disa faktorë organikë, si: kreditimi i biznesit mbi bazën e pasqyrave financiare zyrtare, standardet e forta të huadhënies, mungesa e projekteve të realizueshme dhe cilësore nga biznesit dhe më pak “oreks” nga ky i fundit për t’u financuar me hua bankare, kalibrimi më i mirë i procesit të menaxhimit të rrezikut në gjithë sektorin bankar, ku të gjithë së bashku ndikojnë thellë e në vijim mbi portofolin e huave bankare. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, konsolidimi i sektorit i dha shtysën e fundit kësaj “lëvizjeje lineare”, duke e riorientuar fokusin e palëve të interesuara në konsolidim drejt çështjeve institucionale dhe strategjike, por disi larg nga rritja progresive e huave.
Kur të gjithë këta faktorë organikë vendosen në peizazhin aktual makroekonomik, që ofron rritje pozitive ekonomike, në kontekstin e një mos-ndërmjetësimi relativ financiar, demografisë në rënie, industrializimit bazik të ekonomisë, bujqësisë masivisht të nënfinancuar, ekonomisë gri ende të madhe, sundimit të dobët të ligjit dhe problematikave me titujt e pronësisë, huaja për ekonominë kthehet në një sipërmarrje komplekse për sektorin bankar shqiptar. Kur të gjithë këto fakte shoqërohen me konsolidimin e vazhdueshëm të sektorit, atëherë kjo kthehet në një sfidë afatgjatë, që duhet të trajtohet siç duhet e në harmoni të plotë me prioritetet kryesore të palëve të tjera në ekonomi, zakonisht të qeverisë dhe politikës, të cilat duhet të shpallin dhe shpalosin qartë objektivat dhe prioritetet strategjike për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare, përtej mandateve të zakonshme politike. Bankat janë në treg për të dhënë hua e për të mbështetur ekonominë dhe shoqërinë me fonde dhe likuiditete të mjaftueshme, si dhe me ekspertizë e përvojë cilësore, që biznesi dhe konsumatori të përballojë sfidat ekonomike dhe jo-ekonomike, por përderisa jetojmë dhe punojmë në një ekonomi tregu, thuajse gjithçka nxitet nga kërkesa dhe tregu dhe bankat nuk mund t’i shpëtojnë një aksiome të tillë, por ato do bëjnë gjithçka për të ofruar më të mirën e mundshme!
[1] Zv.Rektor, Universiteti Europian i Tiranës, UET.
