Regjisori, Altin Basha është shprehur se Shqipëria ka nevojë për një Teatër të ri Kombëtar.
Ai thotë se ka një acarim artificial për këtë çështje nga ndërhyrja e politikës, duke thënë se po ndikojnë disa militantë dhe funksionarë të opozitës. Ai kujtoi se, PD gjatë kohës kur ishte në pushtet, nuk investoi për rikonstruksionin e teatrit, por shndërroi Piramidën në teatër.
“Ideja për ta ndërtuar me para publike është ideja më ë e mirë e mundshme, duhet të ketë entuziazëm pasi do t’u shërbejë qytetarëve. Ai teatër e ka humbur funksionalitetin e tij 20 vjet pasi është ndërtuar. Nuk ka qenë i projektuar për teatër, është adoptuar për teatër. Aktualisht nuk mund të quhet një teatër, e ka humbur krejtësisht funksionalitetin”, u shpreh z. Basha.
“Pjesa politike është padyshim pjesa ku nuk do të doja të hyja sepse nëse do të duhet të futem në pjesën politike do të doja t’i kujtoja të gjithë atyre që kundërshtojnë teatrin, kanë qenë në pushtet dhe kanë pasur mundësi që ti shpenzojnë ato para që kanë shpenzuar tek Piramida dhe mund t’i shpenzonin për rikonstruksionin e Teatrit, por ndërtuan një teatër që nuk funksionoi asnjë ditë, e nxorën nga lista e mbrojtjes së monumenteve të kulturës” tha ai për Euro News.
