Moderatorja Eva Murati është nga ato personazhe të njohur në Shqipëri që shpreh revoltën haptazi ndaj shembjes që iu bë Teatrit Kombëtar.
Me anë të një postimi në Instagram, Eva shkruan se “Kultura kushton shtrenjtë por tani po shohim sa shtrenjtë kushton injoranca!”.
Moderatorja shkruan më tej se ata që zgjedhin të qëndrojnë në Shqipëri kanë ‘guxim të marri’ dhe se ka kujtuar se ata që ikin janë me të guximshëm.
Postimi i plote: Kultura kushton shtrenjtë por tani po shohim sa shtrenjtë kushton injoranca!
Nesër, pasnesër kur të vizitojmë teatrin e ri (me apo pa kulla nga pas) në egzaltim e sipër jo të gjithë do kujtojnë se egzistonte mundesia për ruajtur atë godinë si pjesë e historisë së Tiranës duke e transformuar qëllimin e saj, por kjo mundësi u vodh nga ata që e marrin topin me vete në shtëpi kur loja nuk shkon si duan ata.
Gjithmonë kam menduar se ata që ikin nga Shqiperia kanë guxim por kto ditë kam kuptuar që “guxim të marri” kemi ne që zgjedhim të rrimë këtu!
Po ju lë me këtë pikturë të Goyas “Saturni që gllabëron të birin” sepse këto ditë me shëmbjen pa paralajmërim të teatrit në mes të natës kuptuam që një e ardhme normale na është gllabëruar nga më të fortët dhe britma sado e drejtë dhe e përkrahur që të jetë bie në vesh të shurdhët!
Mos e paçi atë fat!
Nga Eva një idealiste e zhgënjyer që sheh të bie e të harrohet çdo kauzë e ngritur ndonjëherë në këtë vend!