Pas protestave të dhunshme të një viti më parë, por edhe afrimit të zgjedhjeve ku mund të ketë një përshkallëzim të situatës, Kuvendi ka marrë masa në lidhje me sigurinë e deputetëve.
Nisur nga gurët që fluturuan në dritaret dhe dyert e Kryesisë së Kuvendit, por edhe molotovët, Kuvendi ka nisur procedurat për blerjen e dritareve dhe të dyerve të blinduara.
Burime nga Kuvendi e konfirmojnë një projekt të tillë për tirananews.al duke saktësuar se ato do të përdoren për katet e para si tek godina e Kryesisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ashtu edhe në godinën e Seancave plenare.
Tenderi pritet që të zhvillohet në shtator, ndërkohë që shuma e vënë në dispozicion është rreth 440 mlionë lekë. / tirananews.al
