Kryetari i Partisë Socialiste në Bashkinë e Matit, Hasan Pasha sjellë në vëmendje të socialistëve të kësaj bashkie dhe më gjërë çfarë ka ndodhur 24 vite më parë, pikërisht në zgjedhjet politike të 26 majit. Ai kujton se Mati ishte kthyer në “parcelë eksperimentale” nga pushteti i kohës. Drejtuesit lokal të PS-së dhe mbështetësit e saj janë dhunuar keq nga Policia e SHIK-u, ndërkohë nuk bëhej fjalë për zgjedhje të lira dhe demokratike.
Postimi i plotë:
Sot është një ditë e zezë për demokracinë shqiptare. 26 maj i vitit 1996 ka hyrë në historinë shqiptare si ditë më e errët e zgjedhjeve pluraliste. Shumëkush thotë se duhet të shohim vetëm përpara, por gjykoj se ne nuk duhet të harrojmë të shkuarën kriminale. Me të drejtë sulmojmë regjimin komunist për bëmat e tij, por zgjedhjet e 26 majit 1996 janë të veçanta në glob.
40 socialistë matjanë u surgjynosën në burgje. Disa prej tyre derdhën gjak për votën e lirë. Efektivë Policie e punonjës të SHIK-ut ndoqën këmba-këmbës opozitarët, gazetarët, ndërkombëtarët. Punojësit e administratës mbushën kutitë e votimit. Dhe tani janë pikërisht këta njerëz që japin leksione demokracie. Flasin për të drejtat e njeriut, për fjalën e lirë, për shkelje të ligjit. Cili matjanë nuk e kujton ish shefin e Komisariatit Mat, Alfred Haxhia. Pasi futi në sherr qytetarët e Burrelit me njëri-tjetrin e ushtroi aktivitetin e tij kriminal si një serb. Ky është modeli që nuk duhet të përsëritet. Ky është njeriu që baltosi keq demokracinë në Mat. Pikërisht për shkak të tij ndodhën ngjarje të rënda në trevën tonë. Vetëm një herë të kishte kërkuar ndjesë Partia Demokratike për veprimet kriminale të këtij drejtuesi lokal. Të paktën të deklaronin distancimin nga ky drejtues që gjakosi Matin.
Unë dhe mijëra socialistë të Matit nuk mund të harrojmë dhunën mbi komisionerët socialistë, fyerjet, kërcënimet e shantazhimin e tyre para dhe gjatë proçesit të votimit. Eksponentë të njohur të PD-së mbushën kutitë me dengje. Në krah kishin punonjës Policie, punonjës të SHIK-ut, drejtues lokal të PD-së, punonjës të njohur të administratës. Ngjarjet janë të shumta, të çuditshme dhe trishtuese. Diku rrëmbehej kutia e votimit, një një qendër tjetër “vidhej” vula për të vulosur fletë-votimet e një qendre tjetër, kishte qendra ku nxirreshin votat e kandidatit socialist dhe zëvendësoheshin me fletë të tjera. E plot ndodhi të tjera.
Për lexuesit po sjell disa nga deklaratat e socialistëve matjanë, të botuara në shtypin e kohës, në maj 1996:
Shkëlzen Gjoka, ish kryetar i PS-së Mat: “Me 26 maj 1996 jam arrestuar nga Policia në orët e para të mengjesit. Nuk jam lejuar të votoj. Jam mbajtur në qeli për 17 orë. Edhe me 10 mars jam izoluar nga Policia 10 orë në biruca.”
Zenel Domi, ish nënkryetar i PS-së Mat: “Në fshatin Batër e Vogël një punonjës Policie dhe një punonjës i SHIK-ut kanë manipuluar të gjitha votat e qendrës së votimit.Përfaqësuesi i PD-së në këtë QV futi në kuti 100 fletë votimi njëherësh. Proçesverbalet nuk janë firmosur nga komisionerët e PD-së, por vetëm nga ato të PD-së, madje janë hedhur edhe firmat e socialistëve.”
Abdi Pasha, sekretar i PS-së Mat: “Në mitingun e 3 majit 1996 ekstremistë të PD-së , të mbështetut nga Policia dhe SHIK-u i kohës grisën flamurin kombëtar dhe goditën me sende të forta drejtuesit kryesorë të PSSH-së.”
Pjetër Gjoni, Baz: “Me 22 maj jam marrë forcërisht nga shtëpia nga punonjësit e Policisë dhe jam mbajtur në dhomat e izolimit, në Komisariatin e Burrelit, për 9 orë.”
Bajram Buna, Burrel: “Në qendrën e votimit nr.5 të qytetit Burrelit, pas hapjes së kutisë së votimit fletët gjendeshin 6-7 copë së bashku. Punonjësit e Policisë më kërkonin deklaratë se zgjedhjet ishin normale.”
Fiqiri Hoxha, Derjan: “Në qendrën e votimit Derjan, në tavolinën e komisionit nuk u lejua të qëndronte komisioneri i PS-së. Ai nuk kishte as vulën dhe asnjë dokument tjetër. E njëjta gjë ndodhi edhe në Urxallë e Dukagjin.”
Shaqir Stana, Burrel: “Mora vesh nga burime të sigurta se në listat e votuesve ishte edhe djali im, paçka se ai ndodhej jashtë vendit, si emigrant.E verifikova këtë kur shkova të votoj. Përbri emrit të djalit tim kishte firmosur dikush tjetër. Madje ishte shkruar dhe një numër pashaporte fallco.”
Myslim Lala, Gjoçaj: “Listat e zgjedhësve u shpallën ditën e votimit. Antarëve dhe simpatizantëve të Partisë Socialiste nuk iu dhanë çertifikata për të votuar. Këtë e bënë punonjësit e gjendjes civile.”
Kujtim Xheçuka, Lami i Madh: “Listat e votuesve u ndryshuan ditën e votimit. Vula e qendrës së votimit erdhi e hapur. Rreth orës 10.00 kryetari i QV-së rrëmbeu kutinë e votimit dhe u largua. Nga 235 votues kishin hedhur fletën e votimit vetëm 39 persona.”
Hasan Pasha
Kryetar i PS-së, Bashkia Mat