Dy degët historikisht më të preferuara të të rinjve, Ekonomiku e Drejtësia, do të tkurren këtë vit, duke pranuar më pak studentë se vitet e kaluara.
Kështu ka vendosur Senati Akademik i universitetit më të madh në vend, atij të Tiranës, i cili do të fusë në auditorë për vitin 2020-2021 360 studentë më pak se viti i shkuar. Pas shumë vitesh, tendenca në rritje e pranimeve të reja po shkon në kah të kundërt.
Kjo përkthehet në më pak shanse për maturantët që garojnë për të fituar një nga këto degë në UT. Gazeta publikon listën e plotë të kuotave të miratuara në Senatin Akademik. Këshillohet që maturantët, përpara se të marrin vendimin për degët që do të garojnë, të konsultohen më parë me kriteret dhe kuotat, për të shqyrtuar mundësinë e pranimit, së paku në njërën prej tyre.
KUOTAT
Programe studimi të shumëpëlqyera nga masa e studentëve, pas shumë kohësh në stanjacion ose rritje të lehtë të vitpasvitshme, kanë vendosur të bëjnë mbrapa. Kështu, Ekonomiku, nga 1280 kuota të palëvizura prej shumë kohësh, ka vendosur të pranojë për vitin e ri akademik vetëm 1200.
