Për të arritur deri në vendimin e shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar ëshë kaluar në një sërë hallkash dhe paligjshmërish të cilat së fundmi po i denoncon Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë.
Ky forum publikoi emrat e ekspertëve që vendosën në 2018 për shembjen e godinës, ku asnjëri prej tyre nuk ka lidhje me trashëgiminë, me mbrojtjen e saj.
Përfaqësuesi i Forumit, Gjergj Bojaxhi, i ftuar në Rtv Ora deklaroi se jo vetëm ky Komision ishte i pakualifikuar për të bërë një vlerësim të tillë porse ai ka dalë në konkluzionin për shembjen e Teatrit brenda 24 orëve.
Gazetarja Beti Njuma: E keni quajtur “komision i pastiçerisë”.
Bojaxhi: Është i vetmi emër që mund ti vësh. Asnjë nga këta njerëz nuk kanë asnjë lloj kualifikimi në aspektin historik, në aspektin e trashëgimisë kulturore, në aspektin e objekteve të monumenteve të kulturës.
Është një komision që është mbledhur vetëm për të bërë një vullnet politik, që është firmosni një procesverbal, një memo që ky objekt të shembet dhe të vazhdohet procedura me pjesën komerciale të zhvillimit nga mbrapa.
Komisioni e ka marrë këtë vendim brenda 24 orëve, pra jo vetëm kemi një komision që në rastin minimal është totalisht i pakualifikuar për të gjykuar një çështje të tillë por ky komision i pakualifikuar e ka arritur konkluzionin dhe ka bërë një memo me rekomandimet e veta brenda 24 orëve nga momenti që është mbledhur si komision.