Drejtorja për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian njëherazi Shefe e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për reformën në drejtësi, Genoveva Ruiz Calavera ka reaguar pas situatës së krijuar me pezullimin nga detyra të anëtarit të kolegjit të posaçëm të apelimit, Luan Daci.
“Hetimi aktual në rastin e njërit prej anëtarëve të Kolegjit të Apelimit, dhe pezullimi i mëpasshëm nga detyra, nuk duhet të jetë një justifikim për të sulmuar reformën gjyqësore, përkundrazi, duhet të shihet si prova më konkrete që sistemi ka filluar të funksionojë në mënyrë efektive”, shprehet znj. Calavera.
Lidhur me këtë rast, shprehet Calavera, vëzhguesit ndërkombëtarë e kanë mbikëqyrur në mënyrë të plotë përzgjedhjen e anëtarëve të organeve të vetingut, dhe se hetimi për të tregon se reforma në drejtësi po funksionon
“Pa paragjykuar rezultatin përfundimtar të këtij hetimi dhe përcjelljen në Gjykatë, është pikërisht në këto raste të vështira që një sistem i pavarur drejtësie vihet në provë për të treguar se askush nuk është mbi ligjin, madje as anëtarët e organeve të vetingut. Kjo është merita e vërtetë dhe vlera e shtuar e një gjyqësori që funksionon në një shoqëri demokratike të bazuar në sundimin e ligjit, çka konfirmon se qytetarët tashmë kanë strukturat e duhura në mënyrë që pretendimet për korrupsion ose sjellje të pahijshme të mund të hetohen siç duhet”, thotë shefja e ONM-së.
Sipas shefes së OMN-së ishte e qartë që në fillim se kjo ishte një reformë e vështirë, e cila do të ndikonte në interesat personale dhe për shkak të kompleksitetit të saj do të kërkojë kohë para se të japë rezultate, por kerkon tu jepet fund sulmeve ndaj saj. “Kjo reformë nuk duhet të minohet nga sulme të ndryshme. Kjo nuk është koha për ta shmangur reformën dhe arritjet e saj të shumta deri më tani”, deklaron znj. Calavera.
Genoveva Ruiz Calavera thekson gjithashtu se muajt e ardhshëm do të jenë thelbësorë në kontekstin e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE dhe zbatimi i vazhdueshëm i reformës gjyqësore do të jetë kyç. Për këtë sipas saj nuk nevojitet vetëm kryerja e punës teknike, por nevojitet angazhim politik. Në fund Calavera bën thirrje që të gjithë aktorët në Shqipëri duhet të vazhdojnë të garantojnë kushtet e nevojshme politike që reforma të shpaloset pa probleme pasi nuk ka asnjë arsye për të vënë në pikëpyetje bazat e procesit të reformës, sado e vështirë të jetë dhe në disa raste edhe sfiduese.