Në seancën e kësaj të mërkure, Kuvendi i Kosovës me 61 vota për e ka zgjedhur Qeverinë e re të Kosovës, me kryeministër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti. Meliza Haradinaj-Stublla është ministrja e Punëve të Jashtme në Kosovë. Ajo është pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK-së), e më parë ka pasur detyrën e këshilltares së kryeministrit Ramush Haradinaj.
Meliza Haradinaj ka kryer studimet bachelor në Universitetin Amerikan në Kosovë (AUK), në drejtimin politika publike. Studimet postdiplomatike, Haradinaj i përfundoi në Universitetin e Oxford-it, përmes bursës së qeverisë britanike, në specialitetin “Diplomaci”.
Pas përfundimit të studimeve, ajo u rikthye në Kosovë për t’i shërbyer vendit. Ajo u zgjodh anëtare në Kuvendin Komunal të Prishtinës gjatë vitit 2009-2013, ndërkaq më vonë themeloi edhe Institutin Kosovar për Diplomaci, organizatë kjo për avancimin e interesit shtetëror të Kosovës në shoqërinë ndërkombëtare.
Meliza Haradinaj-Stublla gjatë vitit të kaluar është përballlur me akuza për mos deklarim ose deklarim të rremë të pasurisë dhe ështe dënuar me tetë muaj burgim me kusht dhe 1000 euro gjobë, e cila aktakuzë është duke u trajtuar nga Gjykata e Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në formularin për deklarimin e pasurisë, të Agjencisë Kundër Korrupsion, nuk e ka deklaruar pronësinë e një biznesi të quajtur “IN MIDDLE LTD”, të regjistruar në Londër.
Çështja është në Gjykatën e Apelit në Prishtinë.