Jahmir Hyka është bërë me ekip të ri. Mesfushori i ka dhënë fund dilemave sa i përket të ardhmes. Lojtari i kombëtares shqiptare po stërvitej me ekipin e Tiranës në kryeqytetin shqiptar, por në fund ka firmosur për 1 vit e gjysmë me skuadrën e Maccabi Netanya F.C. 30-vjeçari do t’i bashkohet skuadrës izraelite që lufton për vendet e para të klasifikimit.
Hyka e mbylli aventurën e tij amerikane pas dy viteve të kaluar me San Jose Earthquakes. Ai do të luajë për herë të parë në Izrael. Në ekipin e ri do të gjejë dhe sulmuesin me origjinë shqiptare Fator Beqiraj. Ky i fundit luan për kombëtaren e Malit të Zi.
Ambientimi i Hykës do të jetë më i lehtë me shqiptarin në ekip. Momentalisht, Maccabi Netanya ndodhet në vendin e 5-të, por me një diferencë prej dy pikësh me vendin e dytë. Vendi i parë është i paarritshëm, pasi mbahet nga Maccabi Tel Aviv me një distancë prej 23 pikësh. Afrimi i Hykës sjell eksperiencë në skuadër dhe siguri.
