Pas më shumë se tre muaj bllokim, java e tretë e qershorit pritet të shënojë rinisjen e transportit urban.
“Lajmi i mirë për qytetarët është se pasi janë hapur kopshtet dhe çerdhet dhe çdo gjë tjetër, edhe trasnporti do të rinisë. Duke qenë një fushë me risk për përhapjen e pandemisë kemi dizenjuar një protokoll strikt. Brenda pak ditësh do të rinisë. Po mundohemi ta hapim në fillim të javës së ardhshme. Pra, ky është një lajm i mirë”, tha ministrja Balluku në një intervistë për emisionin E-zonë në Vizion Plus.
Por, për të mbuluar humbjet në këtë sektor, operatorët kanë kërcënuar me rritje çmimi. Për ministrinë e linjës një kërkesë e tillë jo vetëm që nuk është depozituar nga bizneset, por mbi të gjitha nuk pritet të gjejë miratim edhe sikur të kërkohet zyrtarisht nga bizneset e këtij sektori.
“Ne nuk na rezulton që të kemi një kërkesë për rritje çmimi të biletës. Bileta është 33 cent, një çmimi i ulët, por ne s’kemi një kërkesë të tillë. Çmimi i biletës nuk është pjesë e diksutimeve që po kryejmë me sipërmarrësit e sektorit dhe as do të lejojmë që një gjë e tillë të ndodhë.”
Sipas ministres, vendimi parashikon që si transporti urban edhe ai ndërurban do të funksionojë në 70 % të kapaciteteve. Pjesa tjetër e humbjeve, pra, 30% do të mbulohet nga qeveria.
“Sa i përket mbështetjes ai është vërtet më i godituri. Ne e kemi një plan dhe kemi nisur të bisedojmë me aktoret, si ata të transportit urban , ata ndërurban, por edhe ata ndërkombëtare. Së bashku me hapjen të gjithe aktorët do njoftohen për përfitimet. Përfitimet janë të ndryshme sipas kategorive. Protokolli i detyron që ata të operojnë me 70% të kapacitetit. Por kjo ndryshon per transportin urban, pasi njerëzit rrinë dhe në këmbë, në ndryshim nga ata ndërurban që njerzit janë të ulur. 30% që mungon nga kjo situatë do kompensohet nga shteti. Ne kemi gjetur artifica ligjorë dhe financiarë për t’ia mbuluar kompanive këtë humbje. Jemi duke parë edhe kërkesat e tyre, të cilat kanë të bëjnë me heqjen e akcizës së naftës, si dhe me njohjen e shpenzimeve të karburantit 100% dhe jo 43 %, siç njihen aktualisht.”
