Kuvendi i Shqipërisë do të ndryshojë ligjin e vitit 2014 për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, me qëllim për të zbuluar ish-bashkëpunëtorët (spiunët) e Sigurimit, të cilët kanë zhdukur dosjet e tyre, në kohë të ndryshme, sidomos gjatë trazirave. Konkretisht do të ndryshojë cilësimi ish-bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit. Në ligjin në fuqi parashikohet se ish-bashkëpunëtor i ish-Sigurimit është çdo person që vërtetohet se ka bashkëpunuar në mënyrë të fshehtë me organet e ish-Sigurimit të Shtetit. Gjatë zbatimit të këtij ligjit, Autoriteti i Dosjeve ka hasur vështirësi të mëdha për të vërtetuar bashkëpunimin e personave të ndryshëm me ish-Sigurimin, për shkak se janë zhdukur dosjet e tyre. Por, për këta persona ka dokumente të tjera të tërthorta, që flasin për bashkëpunim e tyre.
Megjithatë, për shkak të kufizimit ligjor që kërkon vërtetimin e tyre, Autoriteti i Dosjeve nuk i ka konsideruar dot deri më sot këtë persona si bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit, bazuar vetëm në disa dokumentet, por jo në dosjen kryesore që është zhdukur. “Jo rrallë jemi ndeshur me praktika kur për bashkëpunëtorin kemi vetëm kartelë ose fletë regjistri, apo kur dosjet për ta janë asgjësuar dhe në këtë kuadër e kemi pasur të pamundur për të lidhur aktivitetin e tyre si bashkëpunëtor”, thekson Autoriteti i Dosjeve.
Për këtë arsye, Autoriteti i Dosjeve i kërkon Kuvendit të qetë fjalë ‘vërtetohet’. Sipas versionit të propozuar, ‘bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit është çdo person që ka bashkëpunuar në mënyrë të fshehtë me organet e ish-Sigurimit të Shtetit’. Me këtë ndryshim, edhe nëse dosja e një spiuni të ish-Sigurimit është zhdukur, ai do të zbulohet dhe cilësohet bashkëpunëtor bazuar në dokumente të tjera.
Ligji aktual nuk kishte një përkufizim të anëtarit të ish-Sigurimit. Për rrjedhojë, Autoriteti i Dosjeve, në versionin e propozuar, sqaron se ‘anëtarë të ish-Sigurimit të Shtetit janë punonjësit që kanë qenë në marrëdhënie pune, dhe kanë pasur funksione zyrtare në strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit, ku përfshihen, oficer, nënoficer, nëpunës, punonjës operativ deri tek punonjësi i nivelit të lartë drejtues i ish-Sigurimit të Shtetit”.
