I njohur si një ndër themeluesit e PS-së dhe një nga ish-anëtarët e Kryesisë së saj dhe ish kryetar i Komisionit për Arsimin, Kulturën dhe Shkencën në parti e cila feston sot 29-vjetorin e themelimit, Limos Dizdari krahas një urimi për këtë forcë, analizon për tirananews.al edhe gjendjen në të cilën ajo ndodhet.
Ndryshe nga të tjerët, profesor Disdari fajëson për gjendjen e PS jo Ramën, por Gramoz Ruçin. Në këtë përvjetor, Dizdari thotë se mbetet me shpresë se në këtë rrugë të përbaltur apo të pluhurosur, Partia Socialiste do të gjejë vetëdijen e saj, të dashurisë për njeriun, për popullin dhe për vendin. Kujtojmë se përplasja e parë mes tij dhe Ramës nisi 20 vjet më parë pikërisht për çështjen e teatrit.
Thuhet dhe ashtu është se e mira dhe e keqja janë kategori shoqërore. Vetëm qëndrimi i njeriut ka karakter personal, individi. Ndërsa këtë të vërtetë nuk e harrojmë asnjëherë, kemi bërë një punë të mirë dhe të matshme. Unë vërtet jam një ndër themeluesit e PS, ëndërrova shumë, pashë shumë dhe tani shoh akoma më shumë dhe akoma më qartë.
Më vjen keq, sillen shumë keq. I kanë quajtur sekt dhe unë në njëfarë mënyre bashkohem me këtë mendim sepse ata që i japin këtë opinion të keq PS janë të pakët. Ata e përbëjnë atë opinion që e quajnë sekt. Më vjen shumë keq për të tërë atë armatë të madhe besimtarësh të ndershëm dhe të ndërgjegjshëm, që kujtuan dhe shpresuan se do të rrugëtonin me të majtën, por u gjendën të tradhtuar.
Kush është fajtori? Nuk janë shumë, por janë gryks. Unë i njoh, i di, i kam parë lakuriq. Sot janë elegant, të heshtur, të frikshëm e të vetmuar tragjik. Të tërë fajësojnë Ramën. Kështu thonë të gjithë dhe zakoni është i madh.
Unë kam një përshtypje tjetër. Se duhet ta shpjegojmë këtë të vërtetë me mënyrën e Servantesit. Don Kishoti thoshte, “Çmimi i parë nuk është çmimi i parë, çmimi i dytë është çmimi më i parë.”Pra Rama nuk është kryetari i PS, kryetari dhe përgjegjësi i tërë kësaj drame, është Gramoz Ruçi. Ai e di mirë se si rregullohet zemreku i këtij sahati të prishur që quhet Shqipëri.
Unë jam dhe do mbetem i majtë, me zë, me zemër dhe shpirt. Populli është me zemër floriri, por mundohen me çdo mjet ta dëshpërojnë dhe ta tredhin atë. Ka shumë eunukë që presin të futen në rreshtin e së keqes. Mbeten me shpresë se në këtë rrugë të përbaltur apo të pluhurosur, Partia Socialiste do të gjejë vetëdijen e saj, të dashurisë për njeriun, për popullin dhe për vendin.
