Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dhënë argumenta pse plani i integrimit me 15 pika i qeverisë nuk është korrekt. Ashtu siç edhe paralajmëroi, Meta ka publikuar pasditen e sotme kritikat dhe rezervat për këtë plan. Ai deklaron se nga ky plan i maxhorancës është zhdukur kushti i BE për hetimin e krimit zgjedhor.
Ndër të tjera, Meta thotë se është e pakuptueshme dhe e pajustifikueshme ngutja për ta prezantuar këtë projekt-plan si një “dokument të konsoliduar gjithëpërfshirës” gjatë mbledhjes së 9 qershorit, ndërkohë që asnjë nga institucionet jashtë ekzekutivit nuk ishin njohur më parë me këtë dokument.
Meta thekson se plani i veprimit duhet t’i qëndrojë plotësisht besnik 15 kushteve, siç janë përcaktuar nga Bashkimi Europian. Duke numëruar rekomandimet e BE-së, Meta thotë se një ndër to është dhe “nisja e procedimeve kundër personave të akuzuar për blerjen e votës”.
