Shërbimi Informativ Shtetëror ngre alarmin për fuqizimin e bandave kriminale, brenda dhe jashtë vendit. Ky shqetësim është shprehur në raportin vjetor të Inteligjencës Shqiptare ku theksohet se vlerat monetare dhe pasuria e përfituar nga veprimtaria kriminale ndër vite të favorizuar nga korrupsioni në sistemin e drejtësisë, pandëshkueshmëria apo niveli i ulët i saj, po përdoren nga këto grupe për të zgjeruar aktivitetin e trafikut të drogës, kryesisht drogërat e forta.
‘Inteligjenca shqiptare thekson se individët që i kanë shpëtuar drejtësisë janë vendosur në vende të huaja dhe prej andej shërbejnë si ura lidhëse të trafikut me elementë kriminalë brenda vendit ku përveçse në vendet evropiane, janë aktivë edhe në vendet e origjinës së kokainës e heroinës, ku bashkëpunojnë me elementë kriminalë lokalë’, thuhet në një pjesë të raportit të SHISH.
Bandat shqiptare që operojnë në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike kanë bazën e tyre kultivimin e kanabisit. Por si bëhet kalimi nga lënda narkotike e kanabisit tek drogat e forta si heronia apo kokaina?
Sipas raportit të SHISH evidentohen raste të shkëmbimit të Kanabisit me drogëra të forta, si kokaina dhe heroina.
SHISH ngre alarmin duke pranuar se bandat kriminale por kontraktojnë vrasës profesionistë me pagesë për të larë hesapet me grupe të tjera.
Ndërsa lidhur me krimet ekonomike, Shërbimi Informativ Shtetëror tregon se paratë e bandave po filtrohen në disa fusha biznesi, si në ndërtim, pasuri të patundshme, hoteleri-turizëm, zona bregdetare dhe urbane që mbeten edhe më tërheqësit pasi ofrojnë potencial për përfitime të mëdha pas investimit fillestar.
