Opozita parlamentare është e ndarë në disa fronte me kërkesa të ndryshme, por pjesën më të madhe e bashkon fakti që nuk do të votojnë paktin për reformën zgjedhore që u arrit në Këshillin Politik pa u plotësuar kushtet e tyre.
11 deputetë, kryetarë partish të vogla kanë dalë sot me 8 propozime të reja mbi Kodin e ri Zgjedhor dhe ndryshimet në Kushtetutë. Mes 11 deputetëve që kanë dalë me propozimet e reja janë; Zef Shtjefni, Adriatik Alimadhi, Vasil Sterjovski, Selami Jenisheri, Kostaq Papa dhe Kujtim Gjuzi, që janë edhe kryetarë partish të vogla.
Ata deklarojnë se nuk do ta votojnë paktin për reformën zgjedhore, ndërsa janë edhe kundër nismës së grupit tjetër të deputetëve të opozitës parlamentare të udhëhequr nga Myslim Murrizi që kërkon përpos hapjes së listave edhe ndalimin e koalicioneve dhe pragun 5%. Kostaq Papa tha madje se ka tërhequr edhe firmën, pasi nuk mund të dalin kundër dëshirës së PD-së, që kundërshton ndalimin e koalicioneve parazgjedhore. Ndërkohë që kryetari i ri i partisë maqedonase në Shqipëri, Vasil Sterjovski kërkoi vende të garantuara në Kuvend për minoritetin.
Kërkesat e 11 deputetëve të opozitës që u bënë publike sot
Lista të hapura
Sistem proporcional i pastër kombëtar
Vota e emigrantëve
Depolizitim i administratës zgjedhore
Numërim elektronik
Jo kushte për koalicione (pra mos ndalohen koalicionet parazgjedhore)
Pragu elektoral të jetë sa më i ulët 1 ose 2%
Financimi i partive të mos bëhet nga shteti
