Gjendja e pandemisë solli në pah edhe problemet e thella që ekzistojnë në shërbimin shëndetësor shqiptar dhe menaxhimit të tij me pasoja direkte në sorollatjen e qytetarëve për të marrë shërbim. Gazetari i njohur Alfred Lela ka denoncuar skemën dramatike me të cilën u përball në spital, ku duke filluar që me abuzimin me hapësirën e parkimit nga punonjësit e shoqërisë tregtare “Illyrian Guard”, sh.a që u krijua me shpejtësi nga ministri i Brendshëm Lleshaj.
Lela sjell historinë e një mjeku, i cili ishte kthyer nga Amerika, për të ndihmuar Shqipërinë, për të mos braktisur vendin e tij, i cili ishte penduar që ishte kthyer teksa liston edhe problemet me të cilët duhet të përballet çdo ditë, pavarësisht misionit human që kanë.
“Rasti më hodhi dje në urgjencën e Spitalit Ushtarak, të shndërruar në Spitalin Universitar të Traumës. Kjo fjala e fundit përshkruan fare mire, jo vetëm rastet urgjente dhe të rënda që vijnë e parkojnë shpresën në këtë qoshk të sistemit shëndetësor shqiptar, por edhe goditjen që duhet të pësojnë shoqëruesit e tyre. Po ndihmoja një kolege dhe mikeshë, e cila pësoi aksident kur po uleshim nga mali i Çikës në Vlorë. Një kavilje e lënduar dhe e enjtur, që dyshohej si ‘shembje’ apo ‘nxjerrje’, rezultoi një frakture, me 6 javë në allçi dhe një proces rikuperimi ndoshta edhe më të gjatë.
E ndala makinën para derës së Urgjencës, sa për të ‘zbarkuar’ të plagosurën dhe u rrotullova nga pas godinës për të parkuar diku. Goditja e parë më erdhi nga ndryshimi i beftë mes ballinës dhe oborrit të parmë të Urgjencës me pamjen që shpaloset në pjesën mbrapa (jashtë kamerave). Rruga me gropa, thasë të zinj mbeturinash, në tokë dhe përmbi kosha. Janë mbetje spitalore, toksike dhe infektuese, të hedhura si çdo mbeturinë tjetër urbane, pa asnjë perimetër kujdesi apo sigurie. Përballë tyre vazhdon një rresht i gjatë sferash betoni me nga një shufër hekuri ngulur te secila dhe një shirit që i lidh me njëra-tjetrën; sinjalizon se ky është një kufi që nuk duhet kaluar. Të ngulur përgjatë një hapësire që mund të ishte vijëzuar dhe ndarë në një duzinë vendesh parkimi për stafin, prania e tyre ngjan e pavend dhe fyese. Dikush ka menduar që ‘zaptimi’ është ide më e mirë.
Më vonë, në bisedë me një prej kirurgëve të urgjencës kuptohet se pse është gjetur kjo zgjidhje, as inteligjente, as simetrike dhe as racionale, për të bllokuar një korsi me këto gjyle betoni. Ka të bëjë me interesa financiare (është punë lekësh, o trap!) mbi parkingun e spitalit. I cili nuk është i Ushtarakut, siç më shpjegon mjeku, por i një krijese ala PPP, një ndërmarrjeje policore shtetërore që quhet ‘Illyrian Guards’. Ata janë ‘policia’ që mbikëqyr Spitalin e Traumës dhe menaxhon parkingun. Mbajnë uniforma të çuditshme pa shenja identifikuese (mos janë këta policët e Ramlleshit që goditën protestuesit!), në një ton të së errëtës, ndoshta afër asaj të trupave fashiste të Musolinit. Prania e tyre është e dukshme dhe invazive në hyrje dhe te recepsioni i Urgjencës. Në pjesën e pasme të godinës ‘vigjëlon’ një pjesëtar tjetër i kësaj trupe, me sa duket në rojë të instalacionit me gjyle betoni. ‘Më duhet të paguaj për parkingun çdo ditë’, më thotë mjeku ndërkohë që trajton kolegen. Del nga dhoma në korridor dhe e dëgjoj tek futet mes një sherri që ka plasur mes një kolegu dhe ‘rojeve ilire’. “Unë jam mjek, nuk jam kamarier që marr porositë tuaja”, dëgjohet të thotë përmes derës së hapur. Futet brenda i xhindosur. “Na duhet të merremi edhe me këta”, më thotë, “për 480 mijë lekë në muaj”.
“Jam kthyer nga Amerika duke kujtuar se do të ndihmoj vendin tim. Kam bërë gabim. Po ju, gazetarët, pse nuk bëni një reportazh për kushtet tona, por flisni vetëm për politikë”, më drejtohet mua me një zemërim që ngjan më shumë si dorëzim. Unë nuk them shumë, por fakti që një spital publik përdor një polici shtetërore të sajuar, si ndërmarrje private për të menaxhuar një parking dhe për t’u marrë lekë mjekëve në shërbim publik dhe me rroga qesharake, më duket një episod barbarish shqiptare”shkruan Lela.