Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka zhvilluar takime me biznese dhe qytetarë të zonës së Unazës së Re ku u shpreh se qeveria vijon me propagandën e ngopjes me lugë boshe pasi ka mjaft që nuk e kanë marrë pagën e luftës ende dhe pse janë lajmëruar si përfitues.
Basha thotë se ata e kanë të pamundur të shlyejnë dhe faturat, të cilat u kanë ardhur dyfish më të larta. Tarifat vendore janë rritur, çmimet janë rritur, ndërsa të ardhurat kanë rënë. Shumë prej tyre, edhe pse u ka ardhur njoftimi se kanë përfituar pagën e dëmshpërblimit për muajt e karantinës, nuk e kanë marrë atë akoma.
“Në 7 vjet paratë e mbledhura nga taksat e rritura, RAMAVIRUSI i çoi tek një grusht oligarkësh, ndërsa qytetarët në ditët e tyre më të vështira, i la në mëshirë të fatit. Sot, të gjithë e dinë se me RAMAVIRUSIN, situata për qytetarët vetëm do të rëndohet, ndërsa oligarkët, taksidarët dhe qeveritarët janë sulur të Kapin Ça të Kapin. Kjo situatë do të marrë fund me bashkimin më të madh në këto 30 vite të shqiptarëve që duan ndryshimin. Të gjithë ata që kanë abuzuar me taksat e shqiptarëve do të japin llogari deri në një. Ne do t’u kthejmë qeverisjen qytetarëve. Ne do të bëjmë gjithçka për çlirimin dhe ringritjen e ekonomisë, për punësimin dhe mirëqënien e çdo shqiptari”, shkruan Basha në rrjetet sociale.
