Biznesmeni shqiptar, Klodian (Mirel) Mërtiri, reagon për herë të parë pas akuzave të Partisë Demokratike dhe shkrimit në mediet ndërkombëtare për skandalin me korrupsionin e tenderit 60 milionë dollarë në Zimbabve për pajisjet mjekësore kundër COVID-19.
Përmes një deklarate që mban firmën e tij, Klodian Mërtiri mohon të ketë lidhje me këtë kontratë korruptive.
Sa i takon fotografisë së tij, ku shfaqej në krah të Presidentit të Zimbabvesë, biznesmeni shqiptar thekson se nuk ka asnjë lidhje me kontratën dhe se po përdoret qëllimisht për të krijuar skandal.
PD sot në një deklaratë për mediat deklaroi se Mërtiri është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol, ndërsa vetë biznesmeni thotë se të gjitha janë akuza të pabaza. Ai shton se nuk është Ilir Dedja, personi që është shpallur në kërkim nga Interpoli.
