Java çame ka nisur me një thirrje drejtuar qeverisë greke dhe vetë kryeministrit Mitsotakis të mos bëhen bartës të ekstremizmit.
Në një aktivitet përkujtimor me rastin e 76-vjetorit të genocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi përsëriti thirrjen për drejtësi dhe kthim të çamëve në tokat e tyre.
Idrizi tha se: “Dua t’i bëj thirrje kryeministrit të Greqisë, Mitsotaqis, babain e tij i cili në vitin 1992 ka qenë kryeministër në Greqi, i cili në bisedime me kryeinistrin Meksi pranoi të ngriheshin komisione mikse për çështje pronësore në Çamëri dhe ngritjen e varrezave të partizanëve çamë të vrarë në Greqi. Thirrja ime për kryeministrin e Greqisë sot është, dëgjo zërin e babait. Sot thirrja “Mos e harro Çamërinë” i drejtohet popullit grek me të cilët duam të jetojmë si fqinjë të mirë. Ne duam të kthehemi në Çamëri, ne nuk e ngatërrojmë popullin grek me bandat e Napolon Zervës. Unë sot i bëj thirrje popullit grek që të punojmë bashkë. Ne mendojmë që Çamëria nuk mund të jetë ndërgjegjja e vrarë e Greqisë.”
Kreu i PDIU-së nuk ka kursyer as kritikat per qeverine shqiptare qe sipas tij nuk ka reaguar aq sa duhet për këtë çështje.
Sipas Idrizit: “Harresa është një vrasje tjetër për shqiptarët e Çamërisë. Unë e di shumë mirë që qarqe brenda dhe jashtë Shqipërisë janë munduar gjatë gjithë kësaj kohe që ta mbulojnë me harresë çështjen Çame. Ne me mesazhin “Mos e harro Çamërinë” i drejtohemi qeverisë shqiptare e cila sot duhej të përkujtonte 27 qershorin, ditën e gjenocidit mbi shqiptarët e Çamërisë, një detyrimin që buron nga Parlamenti i Shqipërisë i vitit 1994 që e shpall 27 qershorin ditën e përkujtimit mbi gjenocidin e shqiptarëve të Çamërisë. Sot i drejtohem qeverisë shqiptare për të zbatuar detyrimin e madh që rrjedh nga rezoluta, punimin për ditë për zgjidhjen e çështjes Çame.”
Ashtu si çdo vit tjetër java çame do të kulmojë me marshimin në Qafe Botë, aty ku prehen mijëra çamë të masakruar nga ushtarët grek.