Policia e Bulqizës bën të ditur se ka vënë në pranga një 27-vjeçar i shpallur në kërkim për plagosje dhe i dyshuar si bashkëpunëtor në një gjobëvënie të një biznesmeni në Bulqizë.
Bëhet fjalë për Alban Tançi, i cili një vit më parë bashkë me të vëllain kanë plagosur me armë zjarri për motive të dobëta një 41-vjeçar.
Ndërkohë, ai dyshohet se është bashkautor i ngjarjes së ndodhur më 19 qershor në qytetin e Bulqizës, ku në bashkëpunim me F. Sh., kanë kërcënuar për gjobëvënie një biznesmen, si dhe kanë qëlluar me armë zjarri në ajër në momentin që kanë konstatuar se po ndiqeshin nga Policia.
NJOFTIMI I PLOTE
Bulqizë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Vajkal”.
Operacioni nga Policia e Bulqizës dhe Specialistët për Hetimin e Krimit në DVP Dibër, për kapjen e personave të shpallur në kërkim.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kapën dhe vunë në pranga 27-vjeçarin me precedent penal në fushën e krimeve ndaj personit dhe armëmbajtjes pa leje.
Gjithashtu, 27-vjeçari dyshohet dhe si bashkautor në një gjobëvënie, ngjarje e ndodhur më datë 19 qershor 2020, në Bulqizë.
Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, Policia e Bulqizës në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Vajkal”, në kuadër të të cilit u bë e mundur kapja dhe vënia në pranga e shtetasit:
A. T., 27 vjeç, banues në fshatin Vajkal, Bulqizë.
Për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë Dibër, në qershor 2019, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë, për veprat penale “Vrasja me paramendim, mbetur në tentativë” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Ky shtetas, më datë 16.06.2019, në vendin e quajtur “Unaza e Re” Bulqizë, në bashkëpunim me vëllanë e tij M. T., i cili është arrestuar pas ngjarjes, ka qëlluar me armë zjarri, për motive të dobëta, në drejtim të shtetasit B. D. i cili mbeti i plagosur në dorë, jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, ky shtetas dyshohet se është bashkautor i ngjarjes së ndodhur më datë 19.06.2020, në qytetin e Bulqizës, ku në bashkëpunim me shtetasin F. Sh., kanë kërcënuar për gjobëvënie një biznesmen, si dhe kanë qëlluar me armë zjarri në ajër në momentin që kanë konstatuar se po ndiqeshin nga Policia.
Operacioni vijon për kapjen e shtetasit F. Sh., për gjobëvënie dhe armëmbajtje pa leje.
Materialet hetimore shtesë do t’i kalojnë Prokurorisë Dibër, për veprat penale “Vrasja me paramendim e mbetur në tentativë” , e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.