Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj zhvilloi sot një takim me përfaqësues e të zgjedhur vendorë, Prefektin e Qarkut, drejtues të Policisë së Shtetit dhe IKMT, drejtues rajonalë, për të diskutuar për mbrojtjen e mjedisit, masat kundër ndërtimeve pa leje, dëmtimit e prerjes së pyjeve, luftën antikanabis, çështje të tjera që lidhen me sigurinë dhe mbarëvajtjen e sezonit turistik e projekte të zhvillimit të Dibrës.
Në fjalën e tij Lleshaj lëshoi paralajmërime të forta për dy çështje që janë në prioritetet e Policisë. Sipas ministrit, lufta kundër kanabisit dhe mbrojtja e territorit janë në vëmendjen e Policisë dhe nuk do lejohen abuzime.
“Janë bërë kompromise të mëdha në këtë vend, janë bërë ndërtime pa leje, etj., por hapësira për tolerancë tashmë është bërë zero. Nuk mund të vijohet më me asnjë cm2 hezitim apo lëshim në territor, sepse territori nuk është i yni. Ne jemi veç përdorues të përkohshëm të tij.
Kushdo që sot merr vendimin e guximshëm për të prekur e dëmtuar territorin, duhet të llogarisë që rreziku me të cilin përballet është shumë herë më i madh se dje. Për çdo ndërhyrje policia fillon menjëherë një proces të ndjekjes penale dhe paralel me policinë, do të jetë IKMT, e cila ndjek rrugën administrative me gjoba të rënda.
Për çdo punonjës policie mbetet tashmë detyra që të shohë jo vetëm krimin tradicional, por të shohë në radhë të parë edhe krimin mjedisor, i cili nganjëherë, ndonëse nuk e perceptojmë si të tillë, bën më shumë dëm sesa krimi tjetër. Janë shumë trajta të krimit mjedisor që bëjnë me shumë dëm sesa disa figura të tjera të krimit.
Ne kemi një plan kombëtar kundër kanabisit. Luftën ndaj fenomenit nuk ia kemi lënë barrë ekskluzive Policisë së Shtetit, që do të thotë të gjithë institucionet e këtij vendi janë të detyruara të bëjnë pjesën e tyre.
Vitin e kaluar ka pasur një numër jo të vogël zyrtarësh, që e kanë paguar shtrenjtë mungesën e përgjegjësisë, nganjëherë edhe bashkëpunimin me elementë kriminalë.
Gjej rastin t’u bëj thirrje publike gjithë administratorëve, kryepleqve, kryetarëve të njësive administrative, punonjësve të policisë dhe drejtuesve të saj që të angazhohen shumë në këto pak ditë që kanë mbetur deri në fund të këtij muaji, pasi përgjegjësia nuk do të jetë vetëm e atyre që kanë kultivuar, por edhe atyre që i kanë lejuar, me dashje apo pa dashje“, tha Lleshaj.