Kryedemokrati Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me zyrtarë të PDK-së, të ardhur nga Kosova për të takuar liderin e PD-së.
Ka qënë vetë Basha ai që ka ndarë foto nga takimi duke bërë me dije se tema kryesore e diskutimit ka qënë ngritja e aktakuzave ndaj dy zyrtarëve nga radhët e PDK-së, presidenit Hashim Thaçit dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli.
“Pata kënaqësinë të mirëpres sot ish nënkryetarin e Kuvendit të Kosovës, z. Xhavit Haliti dhe ish zv/kryeministrin e ministrin e jashtëm z. Enver Hoxhaj. Kosova ka ditur gjithmonë të tregojë maturi përballë sfidave jo të pakta që ka kaluar para dhe pas pavarësisë së saj. Pavarësia, sovraniteti dhe tërësia territoriale e Kosovës janë të pacënueshme. Jam i bindur se së bashku me partnerët euroatlantikë, institucionet dhe forcat politike në Kosovë do të tejkalojnë çdo sfidë dhe do tia dalin të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për qytetarët e saj. @pdshqipëri është e do të jetë gjithmonë në krah të Kosovës dhe popullit të saj,”-shkruan Basha.
Ndërkohë nga ana tjetër, në Kosovë për të zhvilluar një vizitë dy ditore ka shkuar kryeministri Edi Rama, i cili gjithashtu takoi të gjithë politikanët e vendit, përveç ish-homologut të tij, Ramush Haradinaj. Megjithatë edhe përse nuk u takuan, Rama njoftoi se kishte tërhequr padinë ndaj tij për shpifje.