Komisioni Europian i paraqiti ditën e sotme Këshillit draftin e kornizave të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke përcaktuar udhëzimet dhe parimet për bisedimet e tyre të pranimit. Komisioni ishte i ftuar t’i paraqiste këto propozime në mars 2020 nga Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme kur mori vendimin për hapjen e negociatave me të dy vendet.
Sipas njoftimit në faqen zyrtare të Komisionit Europian, komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Olivér Várhelyi u shpreh se sot shënohet një hap tjetër të rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Europian.
“Duke ofruar angazhimin tonë, ne po përshkruajmë korniza konkrete për zhvillimin e negociatave të pranimit. Propozimet tona bazohen në metodologjinë e rishikuar të zgjerimit, të cilën e kemi paraqitur në shkurt, për ta bërë procesin e pranimit më të besueshëm, me një orientim më të fortë politik, më dinamik dhe të parashikueshëm. Mezi pres diskutimet me shtetet anëtare dhe mbajtjen sa më shpejt të konferencave të para ndërqeveritare me të dy vendet. Është e qartë që e ardhmja e tyre është në Bashkimin Europian dhe unë jam i bindur se ata do të vazhdojnë të zbatojnë reformat gjatë rrugës së tyre për në BE, siç kanë bërë deri më tani”, u shpreh ai.
Korniza për negociatat e pranimit
Kornizat negociuese vendosin udhëzimet dhe parimet për negociatat e pranimit me secilin vend kandidat. Draftkornizat janë ndarë në tri pjesë: 1) parimet që rregullojnë negociatat e pranimit, 2) përmbajtja e negociatave dhe 3) procedura e negociatave.
Objektivi i negociatave është që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të adoptojnë në tërësi legjislacionin e BE-së dhe të sigurojnë zbatimin e plotë dhe përforcimin e tyre pas pranimit.
Draftkornizat e bisedimeve bazohen në përvojën e zgjerimeve të mëparshme dhe negociatat e vazhdueshme të pranimit. Ato integrojnë metodologjinë e rishikuar të zgjerimit, marrin në konsideratë legjislacionin europian në zhvillim dhe pasqyrojnë siç duhet vetë meritat e vendeve dhe situatat specifike.
Besueshmëria është forcuar përmes një përqendrimi edhe më të fortë në reformat themelore, duke filluar me sundimin e ligjit, funksionimin e institucioneve demokratike dhe administratën publike, si edhe ekonominë e të dy vendeve. Propozimet parashikojnë gjithashtu një udhëheqje më të fortë politike të procesit dhe më shumë dinamizëm, duke i organizuar kapitujt negociues në grupime tematike. Parashikueshmëria e procesit të anëtarësimit mund të përmirësohet nga më shumë qartësi mbi pasojat pozitive që mund të sjellë progresi në reforma, si edhe mbi pasojat e mundshme negative në rast të mungesës së përparimit, ngecjes së zgjatur ose prapambetjes në zbatimin e reformës dhe përmbushjes së kërkesave të procesit të pranimit.
Hapat e ardhshëm
Sikurse u angazhua në mars, kur u mor vendimi i Këshillit, Komisioni Europian po paraqet draftkornizat e negociatave për shtetet anëtare të BE-së, të cilat, gjithashtu, janë përditësuar me përparimet nga të dy vendet, që nga atëherë. Pasi shtetet anëtare të kenë miratuar kornizat e bisedimeve, kryesia e radhës e Këshillit të Bashkimit Europian do të paraqesë Vendimin e Përgjithshëm të BE-së të dakorduar në konferencën e parë ndërqeveritare me secilin vend, duke shënuar fillimin zyrtar të negociatave të pranimit. Kornizat e bisedimeve do të bëhen publike në këtë fazë.