Policia bëri të ditur se ka arrestuar sot në shtëpinë e tij, të fshehur në një bodrum të krijuar enkas për të Fadil Tërnovën, që njihet dhe si i “i forti” Bulqizës. Emri i tij nuk është i panjohur për drejtësinë, nisur që 11 vjet më parë, në 2009, kur ai ishte vetëm 21 vjeç me një pengmarrje që nisi më pas një seri konfliktesh të përgjakshme mes tij dhe vëllezërve Shehu.
Sipas arkivës së mediave, dominimi, marrja e kontrollit me dhunë, kërcënimi, shantazhi, rrëmbimi madje dhe vrasjet janë fjalitë përshkruese të një konflikti disa vjeçar të nisur mes Familjes Ternova dhe familjes Shehu.
Ternova është nga fshati Vajkal, Bulqizë, ndërsa familja Shehu janë banorë të fshatit Fushë Bulqizë. Fadil Ternova dhe vëllezërit Shehu janë kushërinj mes tyre (nëna e të pandehurit dhe babai i të dëmtuarit janë kushërinj të parë).Konflikti mes tyre ka nisur në dhjetor të vitit 2009 ku Fadil Tërnova dhe Shefqet Shehu takohen me njëri tjetrin në një lokal për të zgjidhur një konflikt për çështjen e galerive të kromit. Gjatë debatit ata shkëmbyen fjalë fyese deri kur kulmoi me rrëmbimin dhe dhunimin që i është bërë Fadil Ternovës nga vëllezërit Shehu. Sipas pretendimeve në gjykatë ata e kishin dhunuar me dru në zonën e “Qafë Buallit”, i fikën telefonin dhe më pas e morën me makinë dhe e hodhën anës rrugës pranë tokës së të riut.
Ky i fundit ka pretenduar se në atë zonë kishte të fshehur një pistoletë dhe pak minuta më vonë në zonë ka kaluar Vehap Shehu me makinë sëbashku me një person tjetër dhe aty si pasojë e shkëmbit të zjarrit ka mbetur i plagosur Vehap Shehu. Për këtë ngjarje në një proces të zgjatur gjyqësor prej 8 vitesh Fadil Ternova u dënua me dy vite burg.
Por historitë e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve mes palëve do vijonin më tej.
Me 20 Prill 2013 një përplasje me armë në një lokal në qendër të Bulqizës shkakton dy të plagosur dhe një të vdekur. Sipas informacionit zyrtar në atë kohë u mësua se dy vëllezërit Shefqet dhe Vehap Shehu kishin vajtur të armatosur dhe kishin tentuar të vrisnin Fadil Ternovën i cili ishte i ulur në një lokal sëbashku me të vëllain Luanin dhe disa kushërinj. Fadili plagoset me një plumb në gjoks por arrin tu kundërpërgjigjet me armën që kishte në brez duke qëlluar biznesmenin Shefqet Shehu të cilin e ekzekutoi me dy plumba një në kokë dhe një në gjoks ndërsa plagosi dhe vëllain tjetër të tij Vehap Shehu.
Për ngjarjen Gjykata dënoi autorët ndërsa konflikti mbeti i hapur. Më 11 Dhjetor 2017 ndaj Tërnovës bëhet një atentat që lidhet sërish me konfliktin me fisin Shehu, një sagë hakmarrjesh dhe përplasjesh që ka sjellë viktima të shumta dhe të plagosur pa arritur të zgjidhë plotësisht çështjen në fjalë.
Sipas të dhënave në proceset gjyqësore mes palëve zanafilla e sherrit ishte konflikti për dominimin në galeri të caktuara të kromit dhe veçanërisht ato të zonës D të cilat tashmë zotërohen plotësisht nga një koncesionar privat. Mosmarrëveshjet për donimin në galeritë e kromit kulmuan në vitin 2009 mbi 8 viktima të grupeve të ndryshme rivale në zonë.