Një grupim i quajtur “Guard Tower” apo “Kulla e rojes”, dyshohet se ka rekrutuar familjen Josifi nga Përmeti që çoi në vetëflijimin e Zhaneta Josifit dhe njërës prej vajzave. Burime nga Prokuroria bëjnë me dije se gjithë familja është rekrutuar nga ky sekt rreth 6 vite më parë në Tiranë. Pas vetëvrasjes së kryefamiljarit, Lluka Josifi, Zhanetës dhe dy vajzave u është dhënë ndihmë financiare nga ky sekt duke bërë që të krijonin marrëdhënie të ngushtë me to.
Ky grupim, pjesë e Dëshmitarëve të Jehovait, ka për qëllim afrimin e sa më shumë njerëzve. Në publikimet e shumta që gjenden online për këtë sekt bie në sy përgjigjja e pyetjes çfarë ndodh kur vdesim.
“Bibla mëson se Perëndia mund t’i zgjojë të vdekurit, si të thuash nga gjumi dhe t’i rikthejë në jetë. Për ata që Perëndia i ringjall, vdekja nuk është fundi i gjithçkaje”.
Dyshohet se ky sekt mund të ketë predikuar dhe aplikuar metoda ekstreme, duke çuar në vetëflijimin e Zhaneta dhe Anisa Josifit. Të njëjtat burime thanë se po hetohen personat që kanë hyrë muajt e fundit në banesën e familjes Josifi në Kombinat, të cilët mendohet se kanë ndjekur ritualin për ringjalljen e Anisa Josifit.
Këta persona dyshohet se ishin në dijeni për vdekjen e 30-vjeçares dhe i kanë sugjeruar edhe nënës dhe vajzës së saj të sakrifikonin duke mos ngrënë apo duke mos dalë fare nga banesa.
Policia dhe prokuroria presin dëshminë e Blerta Josifit për të mësuar si humbi jetën Anisa. Burimet thanë se nëse vërtetohet se persona të jashtëm kanë hyrë në banesë dhe kanë sugjeruar të ndiqet një ritual i caktuar, atëherë ndaj tyre mund të ngrihet edhe akuzë për vrasje. /Klan
