Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka dhënë lajmin e hidhur të vdekjes së mbesës së tij 9-vjeçare pas një sëmundje të rëndë.
Basha lajmin e ka bërë të ditur përmes një shkrimi në Facebook. “Për një vit kanceri ia pamundësoi Elitës lëvizjen, pastaj të pamurit, e paralizoi atë pjesërisht, dhe në fund, pas gjithë vuajtjeve për një vit rresht, zgjodhi t’ia ndal edhe zemrën e vogël që kishte dhe ta ndaj nga ne përjetë.
Meqenëse jeta është plot sfida e vuajtje, kjo qenka edhe më e vështirë kur sfidohesh me vdekjen e një fëmiju vetëm 9 vjeç. Pa fajin e saj Elita sot nuk mund të rritet si shokët dhe shoqet e veta. Ajo nuk do ta ketë mundësinë ta kryej shkollën e mesme, as fakultetin, por as të rritet duke ëndrruar një familje e karrierë. Kanceri vendosi me ia shu të gjitha andrrat”, ka shkruar ai.
Basha ka kujtuar edhe herën e fundit që është parë me mbesën e tij dhe pyetjen që ia kishte bërë ajo.
“Herën e fundit derisa prisnim në takim në Spital më pyeti, “Dajë, a ta merr mendja që do t’vdes?” I thash, “jo dajë, ti je shumë e fortë dhe do t’ia dalim së bashku.”
“Shpresoj që ia dalim dajë sepse nuk dua ta lë mamin vet,” ma ktheu Elita, e cila nuk e kishte hallin e vet se vdiste, por të mamit që po e linte vetëm sepse ishte fëmija i vetëm.
