Ish-gjyqtari Gjoni do të kandidojë për një karrige në parlament në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Gjin Gjoni është propozuar të jetë kandidat i Partisë Demokratike për qarkun e Lezhë ose Tiranë, në zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen vitin e ardhshëm.

Përmes një letre drejtuar KLGJ-së, Gjin Gjoni paraqiti kërkesën për dorëgheqjen e parevokueshme nga detyra e gjyqtarit të Apelit të Tiranës.
Në letrën dërguar qeverisë së gjyqësorit, Gjin Gjoni thotë se përgjatë 27 viteve karrierë në drejtësi nuk iu është nënshtruar presioneve të kriminelëve apo njerëzve të veshur me pushtet. Ai hodhi akuza të forta ndaj institucioneve të vettingut, të cilat sipas tij po hedhin në rrugë gjyqtarë e prokurorë, që nuk u bënë shërbëtorë të pushtetit.
“Prej kohësh sistemi i drejtësisë është në kolaps, lëvizjet dhe sita e vettingut, nuk ka të njëjtat parametra dhe as kritere të barabarta për të gjithë, nëse je shërbetor i politikës, nëse vulos e firmos pa menduar e lexuar, pa iu iu nënshtruar ligjit e Kushtetutës, e kalon. Nëse je shpallur më parë, armik i partisë, nuk shihesh me sy të mirë dhe përfundon në rrugë. Shumë kolegë të nderuar, nuk i janë nënshtruar në mënyrë të barabartë ligjit, shumë kolegë që kanë dënuar eksponentë të krimit të organizuar janë flakur nga sistemi, vetëm sepse nuk i do partia, ndërkohë që shumë të tjerë kanë kaluar pavarësisht paligjshmërisë së akumuluar sa një mal në ushtrimin e funksionit të tyre si gjyqtar”.
Në letë ish-gjyqtari Gjoni shkruante se përgjatë shtatë viteve të fundit i është dashur të përballojë sulme politike të paskrrupullta në adresë të tij dhe familjes, që sikurse thotë i drejtoshin vetëm sepse nuk pranoi t’i nënshtrohej pushtetit.
