Një sasi e konsiderueshme mbeturinash plastike kanë përfshirë portin e Dubrovnikut, për shkak të erërave të forta që kanë trazuar detin Adriatik.
Media kroate “The Dubrovnik Times”, shkruan se këtë mëngjes kompanitë e pastrimit janë përballur me një situatë të pazakontë dhe sipas saj, pjesa më e madhe e mbetjeve plastike vinte nga Shqipëria.
Një problem i tillë është shfaqur shpesh vitet e fundit në Dubrovnik dhe në jug të Kroacisë. Drejtori i kompanisë Publike të pastrimit, Marko Ivekoviç thotë se duzina me plehra janë pastruar, por ka ende shumë punë.
Për më tepër që një nga këto ditë është edhe dita festive shumë e rëndësishme e Shën Blaise, dhe ky problem duhet zgjidhur sa më shpejt. Pjesa më e madhe e qeverisë kroate do të jetë në qytet dhe do të kenë rastin të shohin me sytë e tyre ndotjen.

