Policia e Elbasanit ka sekuestruar një sasi kanabisi dhe minë me telekomandë. Në sajë të operacionit të koduar “Zaranika” është vënë në pranga dhe poseduesi i tyre.
“Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e personave që tentojnë të trafikojnë lëndë narkotike apo lëndë plasëse, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, pas një hetimi me metoda speciale, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Zaranika”, ku u arrestua në flagrancë shtetasi A.R”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë së Elbasanit.
Në cilësinë e provës u sekuestruan 7 kg kanabis dhe një minë me telekomandë. Ndërkaq, hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të këtij rasti dhe identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë. Ndaj të arrestuarit rrëndon akuza “Prodhimi dhe mbajta pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
