Ndërsa rastet e reja me koronavirus po rriten në SHBA, një studim i ri tregon se gati 40 për qind e pacientëve që kanë vdekur nga COVID-19, vuanin nga diabeti. Mes atyre personave nën 65 vjeç që kanë humbur jetën, gjysma kishin sëmundje kronike. Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve analizuan më shumë se 10 mijë vdekje në 15 shtete dhe në Nju Jork, nga muaji shkurt deri në maj.
Jonathan Wortham, një nga epidemiologët që drejtoi studimin, ei quajti gjetjet “jashtëzakonisht të qarta”, me ndërlikime serioze për ata që vuajnë nga diabeti.
Sipas një studimi tjetër të agjencisë “Reuters” u identifikua një normë e lartë diabeti në mesin e atyre personave që kishin vdekur nga COVID-19 në 12 shtete dhe në kryeqytetin e vendit Uashington. Zyrtarët e dhjetë shtete, përfshirë Kaliforninë, Arizonë dhe Miçiganin thanë se nuk kishin raportuar diabetin dhe e sëmundjet të tjera të fshehura ndërsa pjesa tjetër nuk u përgjigj, duke dhënë një pamje jo të plotë për hartuesit e politikave dhe ekspertët klinikë në përpjekjet e tyre për të mbrojtur ata që janë më në rrezik.
Shkalla e vdekshmërisë nga diabeti ështe rritur që nga viti 2009 dhe tejkalojnë shumicën e vendeve të tjera të industrializuara. Komunitetet e afrikano-amerikanëve dhe latino-amerikanëve vuajnë nga diabeti në nivele më të larta se amerikanët e bardhë dhe janë prekur gjithshtu në mënyrë të shpërpjestuar nga COVID-19.
“Diabeti është tashmë një pandemi e ngadaltë ndërsa COVID-19 është përplasur si një valë e shpejtë”, thotë Elbert Huang, profesor i mjekësisë dhe drejtor i Qendrës së universitit të Çikagos për Kërkime e Politika mbi Sëmundjeve Kronike.
Mbajtja nën kontroll e diabetit, ndër masat më të mira për t’u mbrojtur kundër COVID-19, është bërë më e vështirë pasi pandemia ka krijuar probleme me kujdesin mjekësor, mundësinë për aktivitet fizik dhe rutinën e shëndetshme ushqimore.
Çmimi i lartë i insulinës gjithashtu ka detyruar disa njerëz të vazhdojnë të punojnë, që ta paguajnë ilaçin thelbësor, duke i ekspozuar ata përballë rrezikut ndaj virusit në mënyrë që të kenë mundësi. Ndërsa vendi po përballet me një krizë ekonomike, miliona amerikanë kanë humbur vendet e punës e tyre dhe sigurimin shëndetësor që ua paguante punëdhënësi.
Pjesa më e madhe e kësaj mund të ishte parashikuar dhe adresuar me një përgjigje më gjithëpërfshirëse kombëtare thotë A. Enrique Caballero, i Shkollës Mjekësore të Harvardit dhe studiues i sëmundjes së diabetit.