Gjykata italiane ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të Aurela Perhatit, 25-vjeçares që vrau një 53-vjeçar më 31 dhjetor 2019. Pas hetimeve të Prokurorisë, gjyqtarët italianë dolën në vendimin se ajo e kishte kryer vrasjen për vetëmbrojtje pasi ai kishte tentuar ta përdhunonte. 25-vjeçares iu hoq arresti në shtëpi dhe u la e lirë. Sipas mediave italiane, shqiptarja e kishte goditur në mënyrë që të vetëmbrohej dhe nuk kishte dashur t’i shkaktonte vdekjen.
Pas ngjarjes, e reja shqiptare u largua nga vendngjarja. Ajo banonte në komunën Ovada në provincën e Alessandrias. Falë gjurmëve të lëna në xhupin e viktimës nga marmita e automjetit tip Lancia Y e zezë në zotërim të Aurela Perhatit, policia italiane ka mundur ta identifikojë. Ajo i ka thënë policisë se nuk e njihte dhe se ka pranuar ta shoqërojë me makinë. Ky i fundit njihej nga policia italiane si person narkoman që shpesh herë kërkonte lëmoshë në rrugë për të blerë drogë.
Ajo ka shtuar se ai ka tentuar ta përdhunojë duke e detyruar të zbresë nga makina, teksa gjendeshin në një zonë të izoluar. Shqiptarja ka tentuar të largohet dhe e ka përplasur me makinë.
“Mendova se vetëm e kam prekur me makinë e jo aksidentuar deri në vdekje”,-ka thënë e reja. Për mediat lokale italiane avokati i saj mbrojtës është shprehur se “nuk ka qenë vrasje e qëllimshme dhe e paramenduar. Ka qenë një rast tragjik e i pafat”.
