Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, ka reaguar pas zgjedhjes së Aida Hajnajt në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Në një reagim në mediat sociale, Kim shkruan se përzgjedhja e Hajnaj është një tjetër hap në vijim të Reformës në Drejtësi. Ajo shton se tani është radha e trajnimeve me FBI-në dhe përdor një shprehje shqiptare: Gur mbi gur bëhet mur.
“Një hap tjetër përpara në rrugën drejt reformës në drejtësi pasi Komiteti i Përzgjedhjes së Drejtorit FBI dërgon emrin për Aida Hajnaj në KLP për miratim. Ndalesa tjetër: Trajnimi i FBI me më të mirët e zbatimit të ligjit amerikan. Gur mbi gur bëhet mur”, shkruan Kim.
Më herët Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur emrin e kreut të strukturës së Byrosë Kombëtare të Hetimit. Zyrtarisht mësohet se SPAK ka çuar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë emrin e numrit dy të Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj, e cila është e vetmja që i ka plotësuar kriteret. Kandidatët e tjerë për kreun e “FBI-së” shqiptare; Artur Beu, Ervin Hodaj dhe Idajet Faskaj nuk i kanë plotësuar kriteret.