Departamenti amerikan i Sigurmit Kombëtar tha të martën se nuk do të pranojë aplikime të reja për programin që mbron nga deportimi persona që u sollën në SHBA në moshë të mitur në mënyrë të paligjshme.
Ky njoftim u pasua me kritika nga aëtivistë për të drejtat e imigrantëve si dhe nga demokratët në Kongres.
Sekretari në detyrë i Departamentit të Sigurimit Kombëtar, Chad Wolf, shkruan në një njoftim se do të hapë një rishikim të programit për mbrojtjen nga deportimet të këtyre personave, të njohur si programi DACA dhe se gjithashtu aplikimet e reja nuk do të pranohen për momentin. Po ashtu ai shkruan se personat që janë aktualisht të mbrojtur nga programi do të kenë të drejtë të zgjasin lejet e punës dhe statusin e tyre ligjor vetëm për një vit, në vend të periudhës dy-vjeçare që ka qenë në zbatim deri tani.
Një tjetër kufizim nuk do të lejojë pjesëmarrësit në program të dalin jashtë vendit dhe më pas të rikthehen në SHBA, përveçse “në raste të jashtëzakonshme”.
Presidenti Donald Trump u përpoq t’i japë fund programit DACA që u fut në zbatim gjatë administratës së Presidentit Obama në 2012, por Gjykata e Lartë i bllokoi këto përpjekje muajin e kaluar, duke deklaruar se administrata nuk kishte ndjekur procedurat e duhura në mbylljen e programit.
Rreth 650 mijë vetë janë të mbuluar nga programi DACA. Për të përfituar nga ky program, personi duhet të ketë ardhur në SHBA para se të mbushte 16 vjeç dhe të ketë jetuar në këtë vend vazhdimisht që nga mesi i vitit 2007 dhe të ketë qenë nën 31 vjeç në mes të vitit 2012, të mos ketë kryer vepra penale dhe të mos paraqesë kërcënim për sigurinë kombëtare. Po ashtu personi duhet të ketë diplomën e shkollës së mesme, ose të jetë i regjistruar në shkollë apo të ketë shërbyer në ushtrinë amerikane.
Administrata Obama argumentonte se për personat që përmbushin kushtet dhe nuk kishin status të ligjshëm në SHBA jo për fajin e tyre, SHBA ishte atdheu i vetëm që njihnin dhe ishin individë që po kontribuonin në këtë vend. Presidenti Obama e quajti programin “një masë të përkohëshme” për të mbrojtur të rinjtë nga deportimi dhe i bëri thirrje Kongresit të vepronte për të ndrequr “sistemin jofunksional të imigracionit”.