Shpërthimi që tronditi Bejrutin ka shkaktuar mbi 60 viktima dhe më shumë se tre mijë të plagosur bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë e Libanit.
Kryeqyteti është në kaos, teksa në spitale shkojnë ende të plagosur e vijojnë kërkimet për persona të zhdukur çka ka shtuar frikën se shifrat e viktimave do të jenë më të larta.
Sekretari i Përgjithshëm i partisë Kataeb, Nizar Najarian, u vra në shpërthim, dhe në mesin e të plagosurve ishte edhe Kamal Hayek, kryetari i ndërmarrjes shtetërore të energjisë elektrike, i cili është në gjendje kritike.
Agjensia shtetërore e lajmeve në Liban NNA tha se shpërthimi ndodhi në zonën e portit të Bejrutit, ku ka depo me eksplozivë. Nuk është e qartë menjëherë se çfarë e shkaktoi shpërthimin ose çfarë lloj eksplozivi ndodhej në depo. Dyshimet e para janë për lëndë kimike të cilat ishin prej një viti aty pa asnjë masë mbrojtëse, të sekuestruara nga një anije, por gjithçka pritet të sqarohet

Ndërkohë guvernatori i Bejrutit nuk ka mbajtur dot lotët para gazetarëve duke e krahasuar shpërthimin si ai në Hiroshima. Zyrtari libanez, i rrethuar nga anëtarët e ushtrisë, tha se ai erdhi në kërkim të 10 zjarrfikësve që u zhdukën në detyrë dhe se nuk kishte asnjë informacion të disponueshëm rreth tyre.
Shpërthimi “është i ngjashëm me atë që ndodhi në Japoni, në Hiroshima dhe Nagasaki”, tha Abboud, duke shtuar se ai kurrë nuk kishte parë një shpërthim të një madhësie të tillë.
“Unë kurrë nuk kam parë një shkatërrim kaq të madh. Kjo është një fatkeqësi kombëtare, kjo është një fatkeqësi për Libanin . ”
“Ne duhet të qëndrojmë të fortë, duhet të qëndrojmë të guximshëm … por kjo është shumë …”, tha Abboud duke mos i përmbajtur lotët.
