Duke e quajtur “një moment me të vërtetë historik”, Presidenti Donald Trump përshëndeti të djelën miratimin nga qeveria të përdorimit të plazmës konvaleshente, që siç tha ai, “do të shpëtojë jetë të shumta” pacientësh të prekur nga koronavirusi.
Presidenti Trump dhe Sekretari i Shëndetësisë Alex Azar, gjatë një takimi me gazetarët, theksuan se një muaj pas trajtimit me plazmë ka patur një rënie me 35 për qind të vdekshmërisë tek pacientët nën 80 vjeç, që nuk kanë qënë në respiratorë, dhe që e kanë filluar trajtimin në fazat e hershme të prekjes nga virusi.
“Në prodhimin e ilaçeve të reja, ulja e vdekshmërisë me 35 për qind është një arritje e madhe”, tha Sekretari Azar, përkrah presidentit në konferencën e shtypit, duke shtuar se “ky është një përparim i madh për trajtimin e pacientëve”.
Plazma konvaleshente sigurohet nga pacientë që e kanë kaluar dhe janë shëruar nga koronavirusi dhe është e pasur me anti-trupa. Ajo është përdorur për të trajtuar dhjetra mijëra pacientë me Covid-19 në ShBA.
Pak para konferencës së shtypit, Agjencia e Ushqimit dhe Barnave, njoftoi se kishte autorizuar – por teknikisht pa i dhënë miratim përfundimtar – përdorimit të plazmës që përmban anti-trupa nga pacientë të shëruar.
Një ditë para njoftimit, Presidenti Trump ishte shprehur në një postim në Twitter se “një ‘shtet brenda shtetit’ ose dikush tek Agjencia e Barnave, po e bën shumë të vështirë për kompanitë farmaceutike të sigurojnë njerëz për të testuar vaksinat dhe terapitë e reja”.
Në postim ai vazhdonte më tej se “është e qartë që synojnë ta vonojnë përgjigjen deri pas 3 nëntorit. Duhet të veprojmë shpejt dhe të shpëtojmë jetë!”
Drejtuesi i Agjencisë së Ushqimit dhe Barnave (FDA) , Dr. Stephen Hahn, u tha gazetarëve se agjencia kishte arritur në përfundimin se trajtimi me plazmë meritonte miratim në baza urgjence pas analizimit të rezultateve të trajtimit të rreth 20 mijë nga rreth 70 mijë pacientë që janë trajtuar me këtë terapi, si dhe bazuar në studimet e tjera.
Një përmirësim me 35 për qind i shanseve për të mbijetuar është një përfitim klinik domethënës”, tha ai, duke shtuar se, “kemi patur kërkesa të shumta nga mjekët në mbarë vendin”.
“Trajtimi me plazmë është përdorur më parë pa shkaktuar probleme ndaj sëmundjeve të tjera si Ebola dhe difteria, por shkencëtarët, përfshirë disa që punojnë për qeverinë amerikane, janë treguar më të kujdesshëm rreth përdorimit të saj për koronavirusin, duke thënë se rezultatet nuk janë përfundimtare dhe nuk ka prova të tregojnë se funksionon kundër Covid-19.
