Jozefina Topalli ishte kritikja më e forte e Lulzim Bashës, arsye për të cilën baza në Shkodër kërkoi masivisht rikthimin e saj në Partinë Demokratike, por shkodranët nuk do e shohin të përzgjedhurën e tyre në selinë blu dhe as në Parlament në siglën e Partisë Demokratike.
Ish-nënkryetarja demokrate refuzoi të plotësojë formularin e vetëdeklarimit duke hequr dorë nga mundësia për të qenë kandidate e mundshme për deputete. 3 vite pasi Lulzim Basha e la jashtë listave Jozefina Topalli nuk beson tek procesi i nisur nga lidershipi demokrat. Është e bindur se Lulzim Basha nuk ka ndryshuar dhe pasi e akuzon se e ka shkatërruar partinë, kërkon sërish largimin e tij.
“Partia nuk demokratizohet as me formularë as me komisione. LB ka përçarë e shkatërruar PD. Ai nuk beson në asnjë parim të partisë që lindi 3 dekada më parë. Në këto kushte nëse vërtet do donte largimin e Edi Ramës, LB duhet të largohet nga kryetari i partisë. Me një drejtim të ri të gjithë do bashkoheshin realisht pa formularë dhe as komisione dhe Rama nuk do kishte më shans me drejtu vendin”, thotë Topalli.
Nuk harron të falënderojë demokratët te cilët duan ta shohin sërish mes tyre.
“Jam mirënjohëse ndaj çdo demokrati që beson tek unë dhe ka propozuar emrin tim si një dëshirë për të ndryshuar gjërat. Ata janë idealistë dhe e duan vendin dhe unë i vlerësoj pa fund”, përfundon ajo.
Në fakt unë jam e lidhur me çdo demokrat në mënyre të pazgjidhshme. Kemi bëre beteja bashkë. Kemi bërë gjëra të mira, por nuk arritëm të ndalonim që dikush ta merrte peng partinë e ëndrrave tona.
Në sajë të udhëzimit të partisë Komisioni i Vlerësimit të Kandidaturave pritet të heqë zonjën Topallit nga lista e kandidatëve të cilët vijojnë fazën e dytë. Ndërkohë anëtarët e këtij komisioni mbyllën filtrimin e kandidatëve në Tiranë dhe Vlorë duke i dhënë i fund zyrtarisht bazës së parë të seleksionimit të kandidateve për deputet dhe kryetare bashkie të propozuar nga anëtarësia e Partisë Demokratike.
