Policia ka arrestuar në Illinois, të riun që hapi zjarr ndaj protestuesve në Amerikë. Ai është identifikuar si Kyle Rittenhouse, 17 vjeç. Ky i fundit mbrëmjen e djeshme hapi zjarr ndaj protestuesve në Kenosha të Wisconsin, duke lënë të vdekur dy prej tyre.
Në pamjet të cilat bënë xhiron e rrjetet, shfaqej 17-vjeçari, i cili qëllonte me një armë gjysmë-automatike, ndaj protestuesve për plagosjen e afro-amerikanit Jacob Blake. Më pas adoleshenti është parë duke lëvizur drejt makinave të policisë me duar në ajër.
Sherifi David Beth ka thënë se njëri nga viktimat u qëllua në kokë, ndërsa tjetri në gjoks. Ndërsa i plagosuri i tretë nuk ndodhet në rrezik për jetën. Adoleshenti ndërkohë akuzohet për vrasje me qëllim të shkallës së parë.
Hetuesit ndërkohë nuk kanë gjetur asnjë gjurmë në rrjetet sociale të 17-vjeçarit, që e lidh atë me grupet ekstremiste. Nga postimet e tij, vihet re se ai është një mbështetës i policisë. Shpeshherë ai ka bërë edhe postime me mbishkrimin “Blue lives matter”. Gjithashtu nga arkivat, rezulton se adoleshenti ka punuar edhe si roje bregdetare.