Një ngjarje rëndë ndodhi mbrëmjen e sotme në Zall Herr, ku një komando plagosi me pistoletë 26-vjeçarin Rexhep Qefalia dhe goditi me qytën e saj 23 vjeçarin Redi Myrto.
Por si arriti një sherr banal të përfundonte me përdorimin e armës?
Ka qenë një sherr banal rreth mesditës mes komandos Klodian Beshiri dhe Daniel Myrtos, “molla e sherrit” që çoi në këtë ngjarje. Daniel Myrto është vëllai i Redi Myrtos, i cili u godit me qytën e pistoletës.
Daniel Myrto ka thirrur të vëllanë dhe 3 shokë të tjerë për të shkuar dhe për t’u përballur me komandon Beshiri në një lokal buzë rrugës në Zall Herr.
Klodian Beshiri ka qenë i shoqëruar nga gruaja e tij, dhe kur ka parë djemtë që i janë afruar ka nxjerrë pistoletën dhe ka plagosur në kofshë Rexhep Qefalinë, ndërsa më pas ka goditur me qytën e pistoletës Redi Myrtajn.
Është dashur ndërhyrja e policisë që ngjarja të mos përfundonte edhe më keq, duke arrestuar Beshirin dhe duke nisur për në spital dy të plagosurit, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
