Është ndër urat më të bukura prej guri që kemi aktualisht në vendin tonë. Njëkohësisht edhe në gjendjen më të mirë. Dikur ishte ura më e rëndësishme që lidhte Krujën me Dibrën, e ku karvanet nuk pushonin ditë e natë.
Edhe Skënderbeu duhet të ketë kaluar me dhjetra a qindra herë në këtë vend (ura duhet të ketë qenë tjetër atë kohë). Ka histori shumë interesante si shumë ura të tjera prej guri në Mat.
Përveç peizazhit dhe ujit të freskët të lumit Mat, ura është një vlerë e madhe kulturore dhe historike.
“Ura e Vashës” gjendet në fund të fshatit Guri i Bardhë, pak metra mbi vendin ku bashkohet zalli i Dishit me lumin Mat.
Është 11 m e gjatë, hapësira e dritës midis dy këmbëve është 7 m dhe lartësia e harkut nga pasqyra e ujit po 7 m. Gjerësia e trasesë së urës është 2. 8 m dhe është shtruar me gurë. Harku i saj është gjysmë rrethor dhe është punuar me gur gëlqeror të latuar e të skuadruar dhe me qemer të dyfishtë. Të dy anët e qemerëve janë përforcuar me ganxha hekuri.
Ndërtimi i sajë daton rreth 300 vite më parë. Ajo i ka marrë emrin “Urës së Vashës” që gjendet jo shumë larg saj, në Sheun e Dishit dhe që sot quhet “Ura e Skurës”. Duke qenë më e rëndësishme dhe emri “Ura e Vashës” më simbolik, ka përvetësuar këtë emër, duke u njohur si e tillë në gojën e kalimtarëve.
Legjenda thotë se ka marrë këtë emër nga që një familje nga fisi Skuraj, që jetonte në Gur të Bardhë, kishte vetëm një vajzë, e cila nuk u martua se nuk kalonte dot lumin. Një ditë vasha vendosi që me të ardhurat e saj të ndërtojë urën.
Rreth 250 metra poshtë kësaj ure po ndërtohet ura kryesore e “Rrugës së Arbrit” e cila që tani ka filluar të quhet edhe kjo ure e re si “Ura e Vashës”. /Abdulla Diku/