Seanca e sotme parlamentare do të ketë në rendin e ditës dy dekretet e Presidentit Ilir Meta, atë për “Noterinë” dhe për “Kadastrën”.
Këto dy dekrete në fakt u rrëzuan në komisionin e Ligjeve, por që vota pritet të jepet në Kuvend. Kreu i shtetit ktheu ligjet e noterisë dhe kadastrës më 15 janar.
Përsa i përket ligjit të noterisë Meta argumentoi se ligji për noterinë “nuk parashikon procedurën se si do të zbatohet në praktikë si dhe nuk përmban asnjë parashikim të shprehur që t’i japë të drejtë Ministrit të Drejtësisë që në bashkëpunim me Dhomën Kombëtare të Noterisë të nxjerrin aktet nënligjore me qëllim parashikimin e gjithë procedurës së hollësishme për realizimin e këtij procesi”.
“Nuk garantojnë trajtim të barabartë të noterëve përballë kostos që do të duhet të përballojnë për sigurimin e veprimtarisë së tyre, si dhe mund të krijojë një deformim në tregun e sigurimeve referuar sigurimit të veprimtarisë së noterëve. Gjithashtu, nuk ofron siguri ligjore për mbrojtjen dhe mbështetjen e shtresave të pamunduara të shoqërisë për të përballuar tarifat dhe shpenzimet noteriale, apo të kategorive të veçanta të shoqërisë”, thuhet në argumentet e Metës.
Ndërkaq, po atë ditë ai kthehu dhe ligjin për Kadastrën. Presidenti i Republikës thotë se ka vlerësuar përputhshmërinë e ligjit “Për kadastrën” me Kushtetutën, dhe në përfundim të shqyrtimit çmon se disa nene të veçanta të këtij ligji, bien në kundërshtim me legjislacionin bazë të së drejtës civile në Republikën e Shqipërisë; cënojnë parimin e sigurisë juridike; krijojnë tension kushtetues; si dhe nuk janë në harmoni me jurisprudencën kushtetuese.
Për arsyet e sipërcituara, Presidenti i Republikës vlerëson se të gjitha dispozitat e ligjit “Për kadastrën” që referojnë tek projektligji “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë”, duhet të rishikohen në tërësi nga Kuvendi së bashku me projektligjin që është në proces shqyrtimi, me qëllim shmangien e kësaj gjendjeje të theksuar pasigurie dhe përshtatjen e dispozitave të ligjit të miratuar sipas përmbajtjes dhe në shqyrtim paralel me projektligjin që pretendohet të miratohet dhe që është ende në shqyrtim.
Ndërkaq, grupi parlamentar i LSI-së kishte kërkuar interpelancë me ministren e Financave Anila Denaj, për çështjen e bashkisë së Skraparit, por nuk është parashikuar në rendin e ditës, pasi Denaj ndodhet në Emiratet e Bashkuara Arabe, në delegacion me kryeministrin Edi Rama.
