Pas një harrese disavjeçare, banorët e Urakës, Rremullit dhe Prellit në Mat do të kenë tashmë një rrugë tërësisht të rehabilituar duke lehtësuar komunikimin e tyre me qytetin.
Bashkia e Matit me mbështetjen edhe të “Kurum”, ka nisur një sërë investimesh të rëndësishme në prita, rrugë, mbjellje pemësh, në Njësinë Administrative Rukaj. Në një postim të tij kryebashkiaku Agron Malaj shprehet:
“Bashkia Mat dhe Kurum po kryejnë disa investime të rëndësishme për banorët e Urakës, Rremullit dhe Prellit. Në Urakë ka përfunduar rehabilitimi i rrugës kryesore me vendosje të blloqeve të betonit dhe mbushje me dhe. Po vijon mbjellja e pemëve. Është bërë rehabilitimi i shtratit të lumit nga rezervuarët e peshkut deri te Ura e Bojnit dhe janë vendosur blloqe betoni për mbrojtje. Është bërë mbrojtje e të gjithë rezervuarëve të peshkut në Urakë dhe tanimë bizneset s’do kenë më probleme gjatë dimrit për shkak të përmbytjeve. Po punojmë të varrezat si dhe me shërbime të tjera të nevojshme për këtë komunitet. Në bashkëpunim me mjetet e Bashkisë po bëhet rehabilitimi i rrugës Rukaj-Prell dhe Rukaj-Rremull!”.