Caktimi i datës së zgjedhjeve nga presidenti Ilir Meta më 25 prill të vitit të ardhshëm ka ndezur motorët e fushatës për të gjitha partitë politike.
Në një intervistë për tirananews.al, sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Endrit Brahimllari thotë se partia e tij ka hyrë tashmë në një fazë të rëndësishme ku të gjitha strukturat e saj do i nënshtrohen procesit zgjedhor.
Ai thotë se zgjedhjet duhet të ishin bërë kohë më parë, por gjithsesi shpreh bindjen se opozita do të dalë fitues prej tyre.
Tashmë Presidenti Meta ka dekretuar datën e zgjedhjeve. A jeni të kënaqur me këtë datë?
Zgjedhjet duhet të ishin bërë kohë më parë, por ne jemi dakord me çdo datë kushtetuese pasi jemi të bindur që opozita e bashkuar është fituese absolute. Rilindja është në rënie për shkak të ekonomisë, korrupsionit, arrogancës dhe papërgjegjshmërisë.
Në zgjedhjet e kaluara parlamentare pamë që LSI ndryshe nga partitë e mëdha ndoqi një strategji paksa tjetër duke i besuar shumë vende deputetëve të rinj në moshë. A mendoni se kjo do e penalizojë atë nëse e përsërit sërish sa i takon lidhjes me elektoratin në terren?
LSI është e vetmja parti politike që ka investuar tek të rinjtë, jo vetëm me programin e saj, por dhe duke i përfshirë në vendimmarrje, por dhe në parlament. Vendi po përballet me një shpopullim të jashtëzakonshëm për shkak të largimit të rinisë nga vendi sepse politika e rilindjes i varfëroi të rinjtë, i la pa punë dhe të pashpresë. Është detyra jonë të punojmë fort me politika konkrete për të kthyer të rinjtë në vend duke krijuar mundësi punësimi, vende pune të mirëpaguar për të përballuar koston e jetesës. Duhet urgjentisht një plan kombëtar për rininë sepse po ikën pjesa më vitale e shoqërisë nga vendi për shkak të keqqeverisjes, përqendrimin e ekonomisë në duart e tre oligarkëve, mungesës së meritokracisë. Ndaj, është detyrë kombëtare jo vetëm hartimi dhe zbatimi i politikave, por dhe i përfaqësimit të rinisë, ç’ka LSI e ka primare në punës e saj.
Kur do të mblidhet Konventa e LSI për përcaktimin e kandidatëve për deputetë?
Ne kemi hyrë në një faze të rëndësishme ku e gjithë struktura e LSI-së nga baza deri në qendër do kalojë në proces zgjedhor, jo vetëm për të zgjedhur drejtuesit më të mirë të cilët do na përfaqësojnë në betejën e ardhshme elektorale, por dhe për hapur dhe forcuar më shumë LSI. Do të jetë Konventa Kombëtare e LSI ajo e cila do të marrë këto vendime. Por gjithmonë LSI është udhëhequr nga një frymë e fortë e demokracisë së brendshme ku është anëtarësia e cila merr vendime për kandidatët për deputetë që do të kalojnë në një fazë të rëndësishme të verifikimit, por dhe miratimi sipas Statutit të LSI.
A është e gatshme LSI që të përfshijë në listat e saj të kandidatëve për deputetë, emrat e kryetarëve të partive aleate?
Kjo është një çështje më e gjerë e cila ka të bëjë me të gjithë frontin e bashkuar opozitar. Vendimmarrje të tilla i takojnë strukturave dhe çdo vendim do merret në kohën e duhur pas një konsultimi dhe me strukturat.
Çfarë parashikon marrëveshja e bashkëpunimit mes PD dhe LSI, sa i takon fushatës?
Ne kemi në bashkëpunim opozitar me të gjitha partitë e opozitës për të qenë të bashkuar kundër keqqeverisjes së Rilindjes.
Për shkak të pandemisë duket sikur është ulur paksa opozitarizmi i fortë në terren, pra s’ka më protesta sikurse kemi para gjithmonë para fushatave. Si e keni menduar strategjinë gjer në fushatë?
Ne jemi në komunikim të përditshme me strukturat e LSI, por dhe me qytetarë. LSI është e gjitha në terren për të komunikuar drejtpërdrejtë me qytetarët. Ajo çka duket qartë në çdo zona ka të bëjë me keqqeverisjen, arrogancën e Rilindjes e cila nuk mendon për hallet e qytetarëve, por për interesat e oligarkëve.
Janë jo pak ata që thonë që Ilir Meta në detyrën e tij si president, ka bërë rolin që duhet të bënte opozita. Çfarë do u thoshit atyre që thonë se Meta po drejton shtetin si kryetar i LSI?
Unë nuk marr përsipër të komentoj rolin e presidentin të Republikës. Ajo çka them me bindje të plotë ka të bëjë me rolin e jashtëzakonshëm të Presidentit për të zbatuar Kushtetutën dhe për të mos lejuar që vendi të dalë nga shinat e kushtetutshmërisë të cilën Rilindja e aspiron.
Tashmë LSI bëri 4 vite opozitë. Një kohë për katharsis të brendshëm, por nga ana tjetër edhe pa pushtet për të joshur militantët. Sa do ndikojë kjo?
LSI kurrë nuk ka joshur militantët me pushtet. LSI ka qenë në opozite kur ka bërë fushatë. Kujtoj këtu fushatën e 2005, 2009, 2013, por dhe në 2017-s dhe LSI është rritur sepse i qëndron besnik mbrojtjes së interesit të qytetarëve. Njerëzit në LSI i bashkon zemra për një Shqipëri më pozitive dhe europiane. LSI rritet sepse ka përkrahjen e jashtëzakonshme të rinisë shqiptare.
Keni bërë sondazhe dhe sa deputetë mendohet se LSI do të mund të fitojë?
Rritja e LSI, por dhe fitorja e opozitës së bashkuar është pandalshme dhe do të jetë historike. Çdo sondazh na nxjerr fitues, këtë e di më mirë se kushdo Rilindja./ L.T- tirananews.al
