Qytetarët dhe mediat denoncuan për ditë me radhë abuzimet skandaloze të Bashkisë Mat në lidhje me dëmshpërbilimin e qytetarëve të dëmtuar nga tërmeti i 11 gushtit 2018. Me zë dhe figurë u faktua se drejtuesit e Bashkisë Mat kishin favorizuar anëtarë dhe militantë të Partisë Demokratike. Banorët e Macukullit e Barbullejt provuan se si kishin përfituar persona që ishin larguar nga fshati prej shumë vitesh dhe shtëpitë e tyre ishin dëmtuar nga agjentët atmosferikë, se si në lista ishin përfshirë të afërm të deputetëve, drejtuesve të bashkisë, administratorë, etj.
Burime pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat bëjnë me dije se shtatorin e vitit të kaluar kanë nisur hetimet pas denoncimeve të 12 qytetarëve, por ato janë ndalur për arsye që nuk bëhen të ditura.
Tirananews.al denoncoi i pari skandalet e kryera në bashkinë Mat. Më tej emisioni investigativ Fiks Fare faktoi abuzimet e kryera. Ishin lënë jashtë liste familje që realisht kishin dëmtime dhe ishin përfshirë në to persona që nuk kishin pasur asnjë dëmtim nga tërmeti. Kjo vuri në lëvizje Sektorin e Krimit Ekonomik pranë Drejtorisë së Policisë Dibër dhe Prokurorinë e Matit. U kërkua procedim penal për zyrtarët vendorë që realizuan abuzimin e madh. Kur kanë kaluar shumë ditë nga deklarata e Policisë Dibër shtrohet pyetja: Deri ku kanë mbërritur hetimet ?
Askush nuk sqaron opinionin publik cfarë ka ndodhur me paratë e buxhetit të shtetit, kush janë autorët që kryen falsifikimin e dokumenteve, cilët janë zyrtarët lokalë që përfshinë emrat e të njohurve të tyre në lista, etj ?