Deputetja e Partisë Socialiste Klotilda Ferhati ka komentuar zhvillimet e fundit për sa i përket reformës zgjedhore.
E pyetur se çfarë qëndrimi do të mbajnë socialistët rreth kërkesës së opozitës jashtëparlamentare në Këshillin Politik për t’i kërkuar opinion OSBE/ODIHR-it rreth amendamenteve të propozuara, Ferhati iu shmang përgjigjes direkte duke këmbëngulur se amendamentet e tjera të Kodit Zgjedhor kërkohen nga ndryshimet kushtetuese.
“Jemi para një fakti që duhet ta kuptojnë të gjithë, Kushtetuta e Shqipërisë ka parashikime të reja, jemi para zgjedhjeve dhe kemi detyrimin për të bërë kodin zgjedhor,” – tha Ferhati e cila pretendoi se ndryshimet u bënë me konsultime gjithëpërfshirëse dhe ka ende kohë për ta mbyllur reformën.
“Ne kemi paraqitur një draft, opozita parlamentare ka paraqitur kundër-argumente dhe kemi kohë deri më 30 shtator të paraqesim amendime, edhe opozitës jashtëparlamentare i është kërkuar të paraqesin kundër-propozime, kohë do të thotë të punosh,” – shtoi Ferhati e cila theksoi se shumica socialiste ka kërkuar prej viteve të shkuara për të kryer reformën zgjedhore, por opozita bojkotoi dhe më pas dogji mandatet. Deputetja socialiste e pyetur për pragun zgjedhor, propozuar për t’u vendosur si prag kombëtar 3 për qind, Ferhati tha se shumica socialiste është e hapur për ta diskutuar.