Kryetari i bashkisë Krujë, Artur Bushi tha sot, se denoncimet e PD-së me rast banorësh të dëmtuar nga tërmeti janë akuza false dhe thjesht për përfitim politik.
“Akuzat e Partisë Demokratike janë me qellim të përfitimit politik duke manipuluar njerëz në nevojë të cilët janë mbështetur dhe do vijojnë të mbështeten nga Bashkia Krujë. Tashmë, ato janë bërë bajate, por qytetarët e bashkisë Krujë të dëmtuar apo jo nga fatkeqësia natyrore, janë dëshmitarët më të mirë të punës dhe përkrahjes së vazhdueshme si dhe shërbimit që marrin çdo ditë”, tha ai.
Bushi tha se përsa i përket rasteve konkrete për të cilët Partia Demokratike i përdor duke i paraqitur si familje të lëna pas dore në këtë proces, të gjitha gjoja denoncimet janë të pabaza.
“Bardhok Jaku, posedon një banesë në fshatin Mallkuc, Njësia Administrative Bubq, e cila është dëmtuar nga tërmeti dhe është konstatuar me nivel demi DS4, për të cilën ka aplikuar me dokumentacionin që posedonte dhe është shpallur fitues nga programet e rindërtimit me vendim të komisionit të posaçëm si dhe me vendim te Këshillit Bashkiak. Gjithashtu familja Jaku trajtohet me bonusin e qirasë sipas përbërjes se tij familjare me vlere 10.000 leke në muaj. Kjo familje është familje në nevoje dhe trajtohet edhe me skemën e ndihmës ekonomike, me vlerë prej 3,060 lekë në muaj dhe është trajtuar herë pas here edhe me ndihma ushqimore. Familja e Jaku posedon edhe çadër për strehimin e menjëhershëm pas tërmetit të dorëzuar nga bashkia”, tha ai.
Kryetari i bashkisë Krujë Bushi, sqaroi se PD shpif për përfitime politike, por e vërteta është se asnjë banor që është prekur nga tërmeti nuk ka mbetur pa ndihmën e nevojshme.
“Martin Jaku, posedon një banesë në fshatin Mallkuc, Tarin, Njësia Administrative Bubq, e cila është dëmtuar nga tërmeti dhe është konstatuar me nivel demi DS5, për të cilën ka aplikuar me dokumentacionin që posedonte dhe është shpallur fitues nga programet e rindërtimit me vendim të komisionit të posaçëm si dhe me vendim të Këshillit Bashkiak. Jaku, ka demoluar banesën e tij menjëherë pas tërmetit pa njoftuar autoritetet, çka nuk duhej bërë, dhe ekipet inxhinierike në terren nuk kanë konstatuar banesë të dëmtuar por një shesh me rrënoja të demoluara. Në këtë rast, Njësia Administrative me stafin e saj në terren kanë kryer konstatimin dhe aplikimin për një banesën nëpërmjet fotove dhe dëshmive të kryeplakut dhe ekipeve të emergjencës së menjëhershme të ngritura nga bashkia. Ky veprim është kryer me qëllimin e vetëm për t’i ardhur në ndihmë qytetarit, Jaku. Familja e Jaku përbëhet nga 5 anëtarët e familjes se tij dhe 2 motrat e tij të cilat banonin në të njëjtin objekt. Kjo familje përjashtimisht trajtohet me 2 bonuse qiraje, përkatësisht 20.000 lekë për familjen e tij dhe 10.000 lekë për motrat. I është dhënë çadër për strehim të menjëhershëm nga bashkia”, sqaroi Bushi.
Bushi shton se përsa i përket, pretendimit që Bashkia i ka bërë prezente qytetarit apo ndonjë subjekti tjetër tarifat për lejen e ndërtimit, kjo është një akuzë absolutisht e pabazë dhe e pafaktuar pasi nuk ekziston asnjë kërkesë, apo aplikim për leje ndërtimi, për banesën e Jakut.
“Përveç të tjerash, nëse do të kishte interes për të aplikuar për leje ndërtimi për këtë banesë për t’u ndërtuar me donatorë, taksa e infrastrukturës për këto raste është 0”, tha ai.
Kryetari i bashkisë, Krujë Bushi sqaron edhe për qytetarin Indrit Prrini, i cili posedon një banesë në fshatin Mazhe e Madhe, Njësia Administrative Bubq, e cila është dëmtuar nga tërmeti dhe është konstatuar me nivel demi DS4, për të cilën ka aplikuar me dokumentacionin që posedonte dhe është shpallur fitues nga programet e rindërtimit me vendim të komisionit te posaçëm si dhe me vendim të Këshillit Bashkiak. Gjithashtu familja Prreni, trajtohet me bonusin e qirasë sipas përbërjes familjare me vlerë 20.000 lekë në muaj.
“Kjo familje është edhe familje në nevojë dhe trajtohet edhe me skemën e ndihmës ekonomike, me vlere prej 9.000 lekë në muaj dhe është trajtuar herë pas here edhe me ndihma ushqimore. Familja Prrini, posedon edhe çadër për strehimin e menjëhershëm pas tërmetit të dorëzuar nga bashkia”, tha ai.
Kryetari i bashkisë Krujë Bushi hedh poshtë akuzat e PD-së edhe për qytetarin Andon Shota.
“Andon Shota, posedon një banese në fshatin Bilaj, Njësia Administrative Bubq, e cila është demtuar nga tërmeti dhe është konstatuar me nivel dëmi DS4, për të cilën ka aplikuar me dokumentacionin që posedote dhe është shpallur fitues nga programet e rindërtimit me vendim te komisionit te posaçëm si dhe me vendim të Këshillit Bashkiak edhe pse kjo familje e posedon një banesë tjetër karabina po në këtë fshat. Gjithashtu familja e Shota, trajtohet me bonusin e qirasë sipas përbërjes se tij familjare me vlere 15.000 lekë në muaj. Kjo familje është edhe familje në nevojë dhe trajtohet edhe me skemën e ndihmës ekonomike, me vlerë prej 5.580 leke ne muaj dhe është trajtuar herë pas here edhe me ndihma ushqimore. Familja, Shota posedon edhe çadër për strehimin e menjëhershëm pas tërmetit të dorëzuar nga bashkia”, tha ai.
Ai shton se fakti që këto banorë nuk janë strehuar në mjedise me qira, por vijojnë të banojnë në çadra edhe pse trajtohen me bonusin e qirasë, është një çështje zgjedhjeje dhe nuk ka te beje absolutisht me trajtim diskriminues nga ana e institucioneve.
“Bonusi i qirasë shërben për sistemimin e përkohshëm të familjeve në banesa me qira me qellim që të jetojnë në kushte normale deri ne dorëzimin e çelësave të banesave te reja. Banesat e reja të këtyre familjeve do të rindërtohen në trojet që ata posedojnë dhe jo në Sitin e miratuar për ndërtim në fshatin Bubq”, tha ai.
Gjithashtu, Bushi tha se 100 % e familjeve të konstatuara që banojnë në godina të pabanueshme si për rikonstruksion dhe për rindërtim, janë shpërblyer me bonusin e qirasë me vlerën mesatare të qirasë në territorin e bashkisë Krujë dhe vijojnë t’a marrin atë në mënyre direkte dhe pa kërkuar kontrate paraprake qiraje.
Duke folur për ATSH, Bushi lidhur me denoncimin e bërë nga Partia Demokratike e Shqipërisë për rastin e Bardhok Jaku, Martin Jaku dhe Indrit Prrini, Andon Shota ai thekson se janë akuza false, ndërsa ne kemi argument faktet.
Tërmeti i nëntorit shkaktoi dëme të mëdha në bashkinë Krujë për shkak të afërsisë me epiqendrën. Në Njësinë Administrative Bubq, vëmendja për banorët ka qenë maksimale jo vetëm nga bashkia dhe stafi i saj por edhe nga instancat qeveritare dhe donatorë të ndryshëm.
“Procesi ka nisur menjëherë me konstatimin paraprak të banesave dhe ndihmat emergjente nëpërmjet stafit të bashkisë, më vone me ngritjen po nga bashkia të ekipeve të konstatimit me inxhinierë konstruktorë të koordinuara nga Ministri i Shtetit për Rindërtimin, u krye procedura e konstatimeve vizuale në terren, dhe regjistrimi i tyre në sistemin e dedikuar online. Pas përfundimit të këtij procesi tepër të komplikuar si dhe pas një faze ankimimesh dhe rikonstatimesh për rrjedhoje, banoret u thirrën për të aplikuar pranë Njësive Administrative për të qenë përfitues në një prej programeve të rindërtimit dhe në bashkinë Krujë aplikuan rreth 4800 familjare në sistemin elektronik të dedikuar për aplikimin dhe të koordinuar po nga Ministri i Shtetit për Rindërtimin”, sqaroi kryebashkiaku Bushi.
Më tej, Bushi shton se “faza e vlerësimit të dosjeve të aplikantëve ka qenë pjesa më e vështirë e procesit pasi legjislacioni që lidhet me pronësinë në shume raste bie ndesh me situatën në terren të banoreve, pasi transaksionet e paregjistruara të banesave, mungesa e plotë e dokumentacionit të pronës, ndarjet e gjendjes familjare etj, ishin të shumta dhe bashkia në çdo rast në diskrecionin e saj ka patur prioritet faktin e gjendjes reale te banorëve dhe ka qenë në krah të tyre në çdo rast”. /atsh/