Napoli dhe Milani kanë vijuar sot seritë e fitoreve në këtë start të kampionatit, duke siguruar tri pikë edhe në ndeshjet e dyta radhazi që kanë luajtur. Fitore bindëse, që i renditin menjeherë në grupin e skuadrave me pretendime në këtë sezon që pritet të ketë shumë rivalitet, sidomos sa i përket zonës së Ligës së Kampioneve.
Napoli ka masakruar me shifrat 6-0 ekipin e Xhenoas, duke ndëshkuar çdo pasiguri të prapavijës së kundërshtarëve. Lozano shënoi në pjesën e parë atë që do të ishte goli i vetëm në këtë fraksion loje, ndërsa napolitanët do të ishin të pandalshëm në pjesën e dytë të sfidës me gola të njëpasnjëshëm nga Zielinski, Mertens, përsëri Lozano, Elmas dhe Politano. Në golin e Elmas ishte pikërisht Hysaj, i aktivizuar si mbrojtës i majtë, ai i cili dha asistin futbollistit nga Maqedonia e Veriut.
Ndërkohë Milanit i kanë mjaftuar dy gola për të mposhtur Krotonen. Një penallti e Kesi hapi serinë e golave në shtesën e pjesës së parë, ndërsa pak çaste pas fillimit të pjesës së dytë ishte Diaz ai që vendosi vulën e tij në ndeshje duke regjistruar golin e rezultatit 2-0 që nuk do të ndryshonte deri në vërshëllimën përfundimtare.
