– Para 26 vjetësh “qytetërimi ortodoks” serb, bombardoi dhe dogji Bibliotekën kombëtare të Bosnjes. Heroina në foto është Aida Buturoviç, ish studente e Letërsisë në universitetin e Sarajevës. Ajo do të mbesë e paharruar në kujtesën e kombit boshnjak, pasi u vra nga bombat e serbëve për të shpëtuar librat e Bibliotekës Kombëtare të Bosnjes. Ishte gushti i vitit 1992.
Pikërisht, kur ushtria serbe ndodhej në një nga fazat më të përgjakshme të agresionit ndaj boshnjakëve. Pasi kishin rrethuar kryeqytetin e Sarajevës dhe kishin kryer masakra mbi popullsinë civile, ata njëkohësisht edhe bombardonin objekte të ndryshme. Dhe shënjestra patjetër që do të drejtohej edhe mbi kulturën e lashtë boshnjake, mbi Bibiotekën e tyre kombëtare.
Atë ditë të 19 gushtit, studentja e shkëlqyer e Letërsisë, Aida Buturoviç, ishte duke punuar në sallën e leximit kur nisën bombardimet e para. Ndërsa kish rënë zjarri në një pjesë të ambjenteve të bibliotekës dhe të gjithë po largoheshin në panik drejt vendstrehimit më të afërt, ajo rendi të shpëtojë librat. Pa e ditur që furia e bombave s’kish mbaruar, derisa të arrihej pikësynimi i vërtetë i serbëve : shkatërrimi total i bibliotekës. Dhe kështu e gjetën…, të copëtuar nën rrënojat e ndërtesës me një vandak librash në duar, ndërkohë që një grumbull i madh librash të tjerë ndodheshin në një kthinë të zhvendosura prej saj.
Aida ishte vajzë e vetme, fliste 5 gjuhë të huaja dhe shkruante edhe poezi. Atë ditë të 19 gushtit 1992, dora kriminale e shtetit serb, shkatërroi totalisht Bibliotekën Kombëtare të Bosnjes, me një fond të përgjithshëm prej 3 milion titujsh, si edhe mijëra dokumente origjinale të vjetra nga koha e dy perandorive, asaj osmane dhe asaj austrohungareze. Ndërtesa e saj u dogj 3 ditë me radhë derisa u shkrumbua dhe agresorët, s’lanë askënd të afrohej për të shpëtuar atë që kish mbetur nga bombardimi.
Ka qenë një nga ditët më të zymta dhe trishtuese të një lufte të çmendur në zemër të Evropës, në fund të shekullit XX, për të cilën shkrimtari boshnjak Velijan Zujo, do të shkruante më pas : “Biblioteka Kombëtare në Sarajevë u dogj tre ditë me radhë, ditë në të cilat mbi Sarajevë fluturonin zogj të zinj”…/
